Interi është tashmë një tren i pandalshëm. Pasi mori kryesimin e Serisë A, skuadra e Kontes po bind gjithmonë e më shumë. Sot ka mundur 3-0 Xhenoan, ndërkohë që në humorin e zikaltërve ndikoi edhe barazimi i Juventusit në Verona. Interi tregoi pjekuri, duke mos e nënvlerësuar Xhenoan dhe këtu ka të bëjë dora e Kontes, ndërsa grupi është më i bashkuar.
Numrat e Interit janë drithërues, numra titulli. Fitorja me Xheonan ishte e 9-ta radhazi sa u takon ndeshjeve në shtëpi në kampionat. Ndodh për herë të parë që nga maji i 2011-ës. Në atë kohë fitoret ishin 13, por ishin edhe tifozët që ndihmonin skuadrën që drejtohej nga Leonardo. Sot skuadra e Kontes regjistroi fitoren e 5-të radhazi në 7 ndeshjet e fundit.
Që nga barazimi i 8 nëntorit në fushën e Atalantës, Lukaku me shokë kanë grumbulluar 44 pikë nga 51 të mundshme. Sulmi zikaltër ka arritur në kuotën e 60 golave pas 24 ndeshjesh. Për Interin janë shifra që i ka prekur vetëm 2 herë më parë në histori, 70 vjet më parë, në sezonet 1949/50 dhe 1950/51.
Vetëm Lukaku (18) dhe Lautaro Martinez (13) kanë realizuar 31 gola. Goli-rrufe i belgut ndaj Xhenoas tregon qartë se sa mirë ata merren vesh. Me Darmian, shënuesit e skuadrës së Kontes bëhen 13, me Eriksen, Bastonin dhe Jang që shpejt mund t’i bashkohen kooperativës së golit.
Edhe statistikat e mbrojtjes janë impresionuese. Handanoviç në 7 ndeshjet e fundit në kampionat ka pësuar vetëm 2 gola ndaj Lacios. Interi nuk ka mbrojtjen më të mirë të kampionatit (24 gola të pësuar, kundër 20 të Juventusit), për shkak të problemeve në fillim të sezonit. Mjafton të përmendim faktin se në 8 ndeshjet e para Handanoviç kishte pësuar 16 gola, 2 gola për ndeshje.
Në 16 javët e tjera mesatarja është 0.5 për ndeshje, sepse në këtë moment Interi duket një bllok graniti, ku të gjithë mbrojnë dhe të gjithë sulmojnë. Këtë gjë tifozët zikaltër nuk e shihnin prej më shumë se 10 vjetësh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje