Qeveria japoneze do ta shtyjë gjendjen e emergjencës në rajonin e Tokios edhe për dy javë të tjera, pasi sistemi shëndetësor është vënë në një provë të vështirë nga pacientët me Covid-19. Këto masa merren me qëllimin për të mos vënë në rrezik Lojërat Olimpike të verës.
“Për dy javë të tjera do të jenë në fuqi këto masa, në mënyrë që ta lehtësojmë presionin nëpër spitale”, – ka deklaruar ministri i rivitalizimit ekonomik, Yasutoshi Nishimura. Ai ka thënë gjithashtu se qeveria ka marrë miratimin e ekspertëve për ta shtyrë gjendjen e emergjencës deri më 21 mars për Tokion dhe tre prefekturat pranë tij.

Kryeministri Yoshihide Suga ka shpallur emergjencën prej 1 muaji më 7 janar për Tokion, Kanagauan, Saitaman dhe Chiban. Emergjenca u shty më pas deri më 7 mars dhe tani do të ketë një tjetër shtyrje. Emergjenca parashikon mbylljen në mënyrë vullnetare të restoranteve, bareve dhe aktiviteteve të tjera tregtare në orën 20:00. Japonia nuk ka pasur kurrë një mbyllje të detyrueshme, por ia ka dalë të mbajë shifra të ulëta të infektimit me distancimin social dhe masa vullnetare.
Kontrolli i përhapjes së virusit, bashkë me progresin në vaksinim është konsideruar thelbësor për Japoninë. Tokio do të presë Olimpiadën më 23 korrik, e shtyrë me një vit për shkak të pandemisë. Rastet ditore janë pakësuar në mënyrë domethënëse, pasi arritën pikun me rreth 2000 persona në fillim të janarit. Të enjten në Tokio u regjistruan 278 raste të reja, ndërsa totali është 112.624 raste. Në nivel kombëtar, Japonia ka regjistruar më shumë se 436.000 raste dhe rreth 8000 persona kanë humbur jetën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje