Bota

Sinjale pozitive të bashkëpunimit ekonomik mes BE dhe SHBA

SHBA dhe BE kanë rënë dakord për një pezullim katër mujor të tarifave që ata vendosën si pjesë e mosmarrëveshjes së tyre mbi Airbus dhe Boeing.

“Heqja e këtyre tarifave është një fitore e mirë për të dy palët, në një kohë kur pandemia po dëmton punëtorët dhe ekonomitë tona,” tha Komisioneri i Tregtisë, Valdis Dombrovskis.

“Ky pezullim do të ndihmojë në rivendosjen e besimit, dhe për këtë arsye do të na japë hapësirën për të ardhur në një zgjidhje të negociuar gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë”, shtoi ai.

Mosmarrëveshja mes SHBA dhe BE mbi subvencionet e prodhuesve të avionëve Airbus dhe Boeing ka gati dy dekada që është shumë e fortë.

Nga ajo janë prekur jo vetëm kompanitë që merreshin me prodhimin e pjesëve të avioneve nga Franca dhe Gjermania, por gjithashtu edhe prodhuesit e verës, djathit dhe pijeve alkoolike nga këto shtete.

Organizata Botërore e Tregtisë (OBT), në vitin 2019, vendosi që BE-ja kishte siguruar në mënyrë të paligjshme mbështetje për Airbus dhe lejoi SHBA-në që të vendoste tarifa me vlerë prej 7.5 milionë dollarë për mallrat e BE.

Afërsisht një vit më vonë, ajo vendosi që përfitimet e SHBA për Boeing gjithashtu kishin shkelur regullat e tregtisë, duke autorizuar BE-në të godiste SHBA me tarifa me vlerë rreth 4 miliard dollarë.

Aktualisht, BE dhe SHBA kanë theksuar që me vendosjen e Biden si president, janë të etur për të rivendosur partneritetin e tyre, pas katër vitesh marrëdhënie të tensionuara nën ish-Presidentin Donald Trump.

Shefja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se ajo dhe Joe Biden janë “të dy të përkushtuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tona të avionëve, bazuar në punën e përfaqësuesve tanë përkatës të tregtisë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë