Politike

Negociatat e fundit të Ramës për emra të rinj. Tirana, surpriza e PS në 25 prill

Futja e Najada Çomos dhe Luljeta Bozos, atëherë kur lista e PS Tiranë po konsiderohej e mbyllur, nuk është surpriza e fundit. Tirana që jet e mot ka përcaktuar fituesin apo humbësin në çdo palë zgjedhje nuk është mbyllur ende nga Rama.

Ky i fundit ndodhet në Itali për një vizitë dy ditore. Ai pritet të mbërrijë të shtunën në mbrëmje për të riformatuar listën e qarkut Tiranë hambari i votave dhe i mandateve (plot 36) dhe përcaktuesja se nga do të anojë vota e zgjedhësve.

Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, Edi Rama pritet të surprizojë me këtë qark.

Nuk ka ende renditje të paracaktuar, dhe Rama pritet të spostojë nga top lista e 10 emrave të parë edhe emra të njohur të PS-së.

Burimet i thanë Gazetasi.al se Rama ditët e fundit ka bërë lëvizjen e fundit duke kërkuar listë shtesë emrash që mund të kenë mbështetje në bazë apo më gjerë. Këtë gjë ia ka kërkuar Erion Veliajt, Ervin Bushatit, Elisa Spiropalit tre njerëzve që drejtojnë fushatën ne Tiranë.

Orët e fundit mësohet se janë plotësuar rreth 40-50 emra kandidatësh të rinj, jo ata aktualët, për të bërë ndoshta një tjetër renditje apo zhvendosje emrash aktualë.

Sepse Edi Rama synon t’i tregojë Tiranës emra të pakonsumuar, fytyra të reja, apo nga ata që kanë mbështetje dhe janë dalluar në kohë pandemie apo tërmeti siç ishte rasti i Çomos dhe Bozos.

Për disa emra është bërë konfirmimi se do të largohen, siç ishte rasti i Vasilika Hysit, Besnik Bares,  Sadri Abazit që në dy degë të Tiranës po dublohet nga ministra, dhe së fundmi edhe Sadi Vorpsi.

Ky i fundit ka njoftuar në Facebook se nuk do të kandidojë në listën për deputet. “Edhe pse nuk do të kandidoj sërish, do të jem po aq aktiv në fushatën e 25 Prillit për mandatin e domosdoshëm të PS dhe Edi Ramës për t’i çuar gjer në fund punët e nisura e për ta bërë Shqipërinë zonjë”, shkruan ai.

Në pozicione jo fort të mira në renditje janë edhe Pandeli Majko dhe Fatmir Xhafaj. Për këtë të fundit ka qenë më shumë këmbëngulje e ndërkombëtarëve sesa e vetë Ramës për ta pasur sërish në listë.

Janë ndërkohë me pikëpyetje Mimi Kodheli dhe Elona Gjebrea ndërsa me gjasë do të zhvendosë Blerina Gjylametin në qarkun e Korçës, konkretisht në Pogradec, aty ku Eduard Shalsi sa duket nuk po gjen mbështetje të mjaftueshme nga socialistët .

Burimet thonë se lista e PS-se për qarqet e tjera është thuajse e mbyllur. Në to, përgjithësisht nuk pritet të ketë lëvizje të momentit të fundit. Përveç Vlorës nga një përplasje e fundit mes Damian Gjiknurit dhe kryebashkiakut Dritan Leli, një ngërç që pritet ta zgjidhë vetëm Rama të hënën pak para publikimit të listës për këtë qark. Lelit i është ofruar një vend në listën e kandidatëve për deputet, duke çuar për pasojë edhe në dorëheqjen e tij nga detyra e kryebashkiakut.

Ndërkohë, surpriza mbetet Tirana, aty ku Rama ka bërë bashkë figura të reja e të vjetra, ministra aktuale e ish ministra, e ku po në moment të fundit, ai po luan  sërish me emra, për të bërë diferencën, sepse sa duket Tirana do të votoje me këtë logjikë. /N.P


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë