Çështja e ndeshjeve eliminatore të “Katar 2022” në fund të muajit, me botën e pushtuar nga pandemia dhe masat shtrënguese për të shmngur përhapjen e virusit, rrezikon të krijojë një përplasje të madhe mes klubeve, kombëtareve dhe FIFA-s. Sinjalin e parë e ka dhënë Jurgen Klop para Liverpul-Çelsi, ndërsa pas tij kanë mbajtur qëndrim Guardiola, Ançeloti, Bielsa, Solskjaer dhe Poketino.
Emra të mëdhenj që drejtojnë klube të mëdha dhe që janë kundër izolimit të lojtarëve të tyre. Edhe klubet italiane mund të kenë probleme me lojtarët nga Amerika e Jugut, pasi më 30 mars luhet Brazil-Argjëntinë. Me gjendjen aktuale, duhet respektuar protokolli, që parashikon 14 ditë karantinë të detyruar për ata që vijnë nga Brazili.

Premier Liga është kampionati më i prekur, sepse ka një “listë të kuqe” prej 30 vendesh të miratuar nga qeveria britanike, në bazë të së cilës, kush vjen nga këto vende duhet të izolohet për 10 ditë në një hotel Covid. Në këtë listë janë të gjitha vendet e Amerikës së Jugut, një pjesë e Afrikës dhe Portugalia. Trajnerët janë kundër grumbullimit të lojtarëve të tyre me kombëtaret dhe këtë qëndrim e kanë shprehur hapur.
“Nëse nuk gjendet një zgjidhje e pranueshme, lojtarët tanë do të qëndrojnë në Liverpul. As që mund të mendohet që pas kthimit ata të qëndrojnë 10 ditë në izolim. Janë klubet që i paguajnë dhe që kanë përparësi”, – ka thënë Klop. Në Londër, varianti brazilian i virusit i tremb autoritetet, pavarësisht fushatës masive të vaksinimit.

FIFA në shkurt e shtyu protokollin Covid deri në fund të prillit, duke u dhënë mundësinë klubeve të mos i lejojnë lojtarët të grumbullohen me kombëtaret, nëse masat shtrënguese për udhëtimet dhe karantinën i kalojnë 5 ditët. Por federatat e prekura kanë të drejtë të protestojnë. Portugalia i ka dhënë zgjidhje problemit, duke zgjedhur fushën neutrale, ndaj Azerbaixhanit do të luajë në Torino. Për vdendet amerikano-jugore situata është e komplikuar. Zgjidhja mund të jetë t’i transferojnë ndeshjet në Europë, përndryshe Brazili mund të jetë i përgjysmuar.
“Nuk mund të humbim lojtarë të rëndësishëm për 10 ditë. Pa një zgjidhje emergjence, lojtarët tanë nuk do të lëvizin”, – ka thënë Guardiola. I prerë ka qenë edhe Ançeloti: “Nëse karantina do të konfirmohet, lojtarët nuk do të nisen për në vendet e tyre”. Kurse Bielsa kërkon që zgjidhjen ta japë FIFA: “Kjo çështje nuk mund të vendoset nga klubet, duhet të stabilizohet nga organi që vë rregullat”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje