Futboll

Laporta kthehet në krye të Barcelonës, përparësi qëndrimi i Mesit

Joan Laporta është presidenti i ri i Barcelonës. Avokati katalanas kthehet në krye të klubit që e ka drejtuar për 7 vjet në periudhën 2003-2010. Ai u largua në atë kohë, sepse statuti i klubit nuk e lejonte të rikandidonte.

Laporta ka marrë më shumë se 30000 vota, 54% të votave ndaj 29% të Viktor Font dhe 8% të Toni Freiksa. Pavarësisht shiut dhe masave shtrënguese që kushtëzojnë lëvizjen, kanë votuar në Katalonjë dhe Andorra 35013 persona, të cilëve u shtohen 20663 vota me postë. Në total, kanë votuar 50.4% e atyre që e kanë pasur këtë të drejtë. Me rikthimin e Laportës, në kampin katalanas rikthehet shpresa, para së gjithash për qëndrimin e Mesit.

Rinovimi i Lionel Mesit është një nga çështjet më të mëdha që duhet të zgjidhë Laporta, që gjithashtu duhet të përballojë edhe një krizë të thellë ekonomike. Barcelona ka 1137 milionë borxhe dhe 700 milionë duhet t’i shlyejë brenda vitit 2021. Nuk do të ketë shpenzime për merkaton, që do t’i besohet Mateu Alemani, ish-drejtorit sportiv të Valencias, megjithatë ka entuziazëm që mbështetet te kujtimet e bukura.

Ishte pikërisht Laporta, i cili me Rajkardin dhe Guardiolën në stol, që e lançoi Barcelonën në orbitën botërore. Mund të ndodhë sërish dhe përparësi e presidentit të ri është qëndrimi i Mesit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë