Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot programin e Partisë Socialiste “Shqipëria e ardhmja, emigracioni e shkuara”, ku ka shpalosur vizionin e partisë së tij për rikthimin e emigrantëve në Shqipëri.
Rama u shpreh se shumë ekspertë kanë punuar për një kohë të gjatë dhe tashmë kanë një plan të qartë për rikthimin e emigrantëve që të punojnë dhe jetojnë në Shqipëri.
“Kemi punuar me një grup të gjerë të skuadrës sonë, anëtarë qeverie, ekspertët tanë dhe ekspertë ndërkombëtarë. Jemi të vetëdijshëm që duhet një plan. Nëse ne nuk e shfrytëzojmë ndryshimin gjërat mund të shkojnë në drejtimin e duhur. Ky plan ka qëllim që të nxisë emigrantët nga Shqipëria si një mundësi e re.
Ditët dhe javët në vijim do të jenë momente të shpalosjes së këtij plani. Unë kam shpresë se Shqipëria do të bëhet në këtë dekadë një vend më i favorshëm seç është. Shqipëria mund dhe do të bëhet një destinacion shumë i kërkuar i rajonit dhe në Mesdhe. Shqipëria do të rrisë eksportet në bujqësi dhe do të rrisë kapacitetet e saj dixhitale. Ne do t’u ofrojmë emigrantëve një perspektivë të re”, tha Rama.
Duke folur për planin e Partisë Socialiste për emigrantët, Rama ka prezantuar publikisht një emigrant shqiptar në Angli, i cili do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë.
“Kam kënaqësinë të ftoj një emigrant nga Londra, i cili është bashkë me mua dhe do të jetë pjesë e skuadrës tonë të 25 Prillit. Lavdërim Krashi nga Dibra, ikur prej shumë vitesh, jetuar dhe përpjekur si gjithë të tjerët duke e nisur nga hiçi dhe sot shërbëtor publik i qytetarëve të Londrës në Bashkinë e Londrës. Njëkohësisht një njeri i respektuar në komunitetin shqiptar aty, si një kontributor në lehtësimin e gjithë proceseve që kanë shqiptarët”, është shprehur Rama.

Nga ana tjetër, Lavdërim Krashi thotë se pas shumë vitesh në shërbim të qytetarëve të Londrës, tani ka vendosur që të kontribuojë për vendin e tij.
Përveç Lavdrim Krashit, kandidatët e radhës janë dhe dy vajza emigrante si Briseida Gjoza dhe Bora. Dy emrat e radhës të propozuar nga kryeministri Rama janë dy emigrante nga Elbasani, që prej vitesh jetonin larg vendit. Kryeministri ka bërë me dije se Krashi do të jetë pjesë e listave për kandidat në Dibër, Bora në Tiranë dhe Briseida do të jetë pjesë e listave të kandidatëve për deputet në Elbasan.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje