Ne rrjet

“S’doja të jetoja më”. Megan trondit publikun, akuza për racizmin në Familjen Mbretërore

Në një intervistë që ka tronditur Familjen Mbretërore Britanike, Dukesha e Sussex akuzoi Pallatin Mbretëror për nxitjen e një atmosfere armiqësie dhe raciste aq të fortë sa aktorja ishte afër vetëvrasjes, ndërkohë që ishte shtatzënë me fëmijën e saj të parë.

Në një seri zbulimesh tronditëse gjatë një interviste dy-orëshe me Oprah Winfrey, Meghan Marke deklaroi se anëtarët e familjes mbretërore kishin shprehur haptazi shqetësime sa e errët do të ishte lëkura e djalit të saj Archie dhe se kishin bërë të pamundurën për t’i mohuar titullin mbretëror duke refuzuar madje t’i ofronin siguri, duke i mohuar edhe ruajtjen nga rojet mbretërore.

Kur tabloidët britanikë kishin filluar të sulmonin Meghan, askush nga familja mbretërore nuk kishte ngritur gishtin për ta mbrojtur ose për të rishikuar vendimin për sigurinë e Archie, pretendoi ajo. Meghan tha se ishte ndjerë krejtësisht e pambrojtur nga sulmet e mediave dhe aparati shtetëror që rrethonte Familjen Mbretërore, e cila i kishte refuzuar vazhdimisht thirrjet e saj për ndihmë dhe e kishte ndaluar atë të largohej nga shtëpia për muaj me radhë.

“Gjithçka po ndodhte vetëm sepse po merrja frymë”, tha Meghan, duke u përlotur në një moment dhe duke nxitur Winfrey të bënte të njëjtën gjë. “Thjesht nuk doja të jetoja më. Ky ishte një mendim i real, i frikshëm dhe i vazhdueshëm ”.

Të dy, Meghan dhe burri i saj, Princi Harry thanë se u ishte ndaluar të konsultoheshin me psikologë dhe se Harri kishte kaq frikë për vetëvrasjen e Megan sa nisi ta merrte me vete në çdo dalje publike. Dukesha e Susexx tha se Familja Mbretërore e priti me krahë të hapura në fillim, por nisi ta bullizonte sapo ajo mbeti shtatzënë.

Meghan tha se një pikë kthese erdhi disa muaj pas dasmës së saj përrallore, kur tabloidet raportuan se ajo kishte bërë kunatën e saj, dukeshën e Kembrixhit, të qante.

Historia e vërtetë, pretendoi Meghan, ishte e kundërta, që Kate e kishte bërë të qante, por më vonë i kërkoi falje dhe i ofroi lule. “Ajo që më tronditi nuk ishte vetëm se tabloidët raportuan të kundërtën, por edhe askush në pallat nuk e mohoi”, tha Megan.

Megan tha se gabimi i saj më i madh ishte që e kishte besuar Familjen Mbretërore kur ata thanë se do ta mbronin. Që herët, ajo zbuloi, se ata sugjeruan që ajo të vazhdonte me karrierën e saj të aktrimit sepse nuk kishte para në dispozicion për ta vënë atë në listën e pagave mbretërore.

Ajo tha se anëtarët e tjerë të familjes i kishin thënë prerazi se nuk mund të kërkonte ndihmë psikiatrike sepse nuk do të ishte mirë për imazhin e institucionit.

Në intervistë, Harry dhe Meghan rishikuan fotografitë e një paraqitje publike në Royal Albert Hall, duke zbuluar se Meghan kishte marrë pjesë jo sepse donte të përballej me publikun, por sepse kishte frikë se çfarë mund t’i bënte vetes nëse do të mbetej vetëm.

“Atë mëngjes i tregova Harrit për mendimet e mia për vetëvrasje. Unë kisha turp ta thosha me zë të lartë,” i tha ajo Winfrey. “Turp ta pranoja, por e dija nëse nuk do ta thosha, do ta bëja. “Harry- tha ajo-më mbajti pranë dhe me kalimin e kohës, filloi të formulonte një plan për të lehtësuar presionin dhe për të siguruar që tragjedia e Princesha Dianës, nuk do të përsëritej.”

Çifti njoftoi në janar të vitit 2020 se do të tërhiqeshin nga detyrat e tyre mbretërore. Ata shkuan së pari në Kanada, duke menduar se ata ende mund të luanin një rol, ndërsa ishin të vendosur në një vend të Komonuelthit, por familja mbretërore i mohoi ofrimin e sigurisë. Duke u ndjerë të ekspozuar dhe të pambrojtur, çifti së pari u transferua në Los Angeles, ku producenti Tyler Perry i ftoi të qëndronin në shtëpinë e tij dhe ofroi sigurinë, përpara se të blinin një shtëpi jashtë Santa Barbaras.

Komentet e çiftit vijnë në fund të një jave të hidhur mes tyre dhe Pallatit Mbretëror. “Sunday Time” tha se Mbretëresha nuk do të shikonte intervistën dhe raportoi se pallati do të përgjigjej vetëm nëse anëtarët individualë sulmoheshin në intervistë.

Harry tha se familja i kishte prerë ndihmën financiare kur u zhvendosën në SHBA dhe kishin vetëm paratë që ai kishte trashëguar direkt nga nëna e tij që i mundësuan të blenin një shtëpi dhe të negocionin marrëveshje me Netflix dhe Spotify.

Kjo intervistë ka tronditur opinionin publik britanik dhe jo vetëm me dhjetëra aktivistë, gazetarë, por edhe figura publike që kanë kërkuar hetimin e akuzave për racizmin ndaj Megan dhe djalit të saj Archie. Reagimi i parë ishte ai i Sekretares britanike të Arsimit  e cila kërkoi nisjen e investigimeve nëse Familja Mbretërore kishte shprehur shqetësime për ngjyrën e lëkurës së Archie.

Kate Green tha se akuzat nga Meghan të dielën ishin “vërtet shqetësuese, tronditëse”. “Dhe nëse ka akuza për racizëm, atëherë unë do të prisja që ata të trajtoheshin nga pallati me seriozitetin më të madh dhe të hetoheshin plotësisht.”

“Unë jam i sigurt që pallati do të mendojë me shumë kujdes për këtë akuzë. Kurrë nuk ka asnjë justifikim, në asnjë rrethanë, për racizmin dhe mendoj se është e rëndësishme që të merren masa për të hetuar këto akuza janë vërtet akuza tronditëse”. Deri më tani nuk ka pasur asnjë përgjigje zyrtare as nga qeveria dhe as nga Pallati Mbretëror ndaj intervistës.

Gazetari i BBC Sean Mandell thotë se gjatë javës së fundit mbështetja për Meghan është rritur në SHBA dhe se intervista e fundit ka rritur zemërimin e opinionit publik amerikan, por edhe britanik ndaj Pallatit Mbretëror.

Ai thotë se akuzat për racizëm dhe bullizëm prekën shumë më shumë shikues dhe zbulimet bombastike gjatë intervistës kanë bërë që njerëzit të “të bashkohen në anën e saj “.

Mandell thotë se pretendimi i Meghan se ajo nuk ishte në gjendje të merrte ndihmë për problemet e shëndetit mendor është një “histori që përsërit veten” dhe tregon edhe njëherë për rrethin vicioz ku gjendet Familja Mbretërore.

Ndërkohë, lëviza anti-monarkisë së Mbretërisë së Bashkuar, Republika, ka komentuar intervistën, duke e cilësuar si “krizën më të rëndë që nga abdikimi në 1936”.

“Qoftë për hir të Britanisë, qoftë për hir të mbretërve më të rinj, ky institucion i kalbur duhet të shkatërrohet,” tha lëvizja në një reagim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë