Futboll

Video/ Apolonia prish festën e Laçit, gafa e Sherrit kushton shtrenjtë

Laçi ka barazuar Vllazninë dhe Teutën në krye të renditjes së Superiores, në kuotën e 41 pikëve, por i kishte të gjitha mundësitë të ishte 2 pikë para tyre. Një gabim trashanik i portierit Alan Sherri i ka mohuar fitoren skuadrës së Duros ndaj Apolonisë dhe në Laç gjithçka ka përfunduar 1-1.

Pas Partizanit, skuadra fierake ndal edhe Laçin, një tjetër pretendent për titullin kampion. Kurbinasit e kanë dominuar ndeshjen dhe kanë krijuar raste të shumta shënimi, por nuk mundën të shënonim më shumë se një gol në portën e Harizajt, kurse Apolonia rezistoi deri në fund dhe mori një pikë të çmuar në këtë transfertë, falë edhe gabimit të Sherrit.

Kur kishte mbetur edhe një minutë nga koha e rregullt, portieri shkodran bëri një dalje të gabuar gjatë ekzekutimit të një goditjeje standarde dhe afrikani Diop dërgoi me kokë topin në portën e boshatisur. Një gabim që mund t’i kushtojë shumë shtrenjtë Laçit në garën e titullit.

Goli i avantazhit për kurbinasit u shënua sapo nisi pjesa e dytë, kur Mazrekaj, i sapo futur në fushë, dha një pasim të saktë për Shehun brenda zonës dhe ky i fundit e dërgoi në rrjetë, duke mposhtur Harizajn. Laçi e kontrolloi mirë lojën, me përjashtim të rastit të golit të barazimit nga fierakët, që gjithsesi mbeten në vend të fundit.

Superiore, java e 23-të
Sot
Laçi-Apolonia 1-1
Vllaznia-Kukësi
Të dielën
Partizani-Skënderbeu 0-1
Bylis-Teuta 1-1
Kastrioti-Tirana 1-2


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë