Politike

Rama: Bushati më erdhi në zyrë e kërkoi postin në OSBE, Xhafaj e ka pranuar sfidën si i 23-ti

Kryeministri Edi Rama mohoi zërat që thonë se lënia jashtë, ose renditja në vende të pasigurta në listë e emrave me kontribute në qeverisje dhe parti është pasojë e mërive personale të tij me ta.

Ai tha se janë përzgjedhur kandidatë emrat që punojnë me bazën dhe që sigurojnë vota dhe jo personat me kontribute në Qeveri, apo parti. Në vlerësimin e Kryeministrit, Ditmir Bushati nuk bën pjesë te personat që punojnë me bazën.

“Ditmir Bushati, që ditën e parë që u ndryshua si drejtues i Shkodrës ka zbritur nga treni dhe nuk është shfaqur me në asnjë aktivitet në punët e PS. Ditmir Bushati ka disa mendime të tijat me të cilat unë nuk jam dakord, po këtu nuk ka asnjë problem. Nëse do të kishte punuar tokën do të ishte me shokët e vet dhe madje shumë nga ato që thotë nuk do i thoshte fare se aty ka qenë”, tha ai.

“Nuk kam asgjë unë me kolegët e shokët që sot nuk janë në lista. Ata e kanë vendin gjithmonë të palëvizshëm në sytë e mi, por a mjafton kjo për shoqërinë? E shkuara e secilit në një parti politike është historia e tij dhe e partisë politike dhe jo arsye që njeriu që ndalet te kutia e votimit të votojë. Partitë politike janë për të jetuar në lartësinë e të sotmes”, vijoi Rama.

Kryesocialisti u ndal veçanërisht tek rasti i Ditmir Bushatit dhe Fatmir Xhafajt. Për të parin tha se ruan ende konsideratat për punën e bëri si ministër dhe për të argumentuar se mospërfshirja në listë nuk është pasojë e debateve me të solli një shembull.

“Nëse unë do të mbaja inate me Ditmir bushatin, por nëse unë do të funksionoja kështu. Ditmir Bushati ka ardhur tek unë dhe më ka thënë që dua të bëhem sekretar i OSBE. Kërkoi mbështetjen time dhe unë i kam thënë po që do ta ketë mbështetjen time. I kemi dhënë të gjithë mbështetjen, por disa vende shprehën rezerva për kandidaturën e propozuar nga Shqipëria në vitin që Shqipëria kishte presidencën e OSBE. E kam mbështetur deri në fund Ditmir Bushatin, sepse përtej debatit që mund të kem unë me Ditmir Bushatin, një sekretar i OSBE nga Shqipëria do të ishte kryevepër”, deklaroi Rama.

Kryeministri vlerësoi Ditmir Bushatin dhe Sandër Lleshajn për punën e tyre si ministra, por tha se nuk do të thotë gjë që të jesh ministër i mirë duhet të jesh deputet.

“Sandër Lleshaj ka qenë ministër edhe më i mirë se Ditmir Bushati, por nuk është në listë se nuk ka pasur as kohën dhe as mundësinë që të bëjë më shumë se sa thjesht detyrën e tij si ministër dhe si ministër nuk ka ardhur nga PS, por si qytetar. Ditmir Bushati ka qenë ministër se e bëri PS ministër dhe detyrat e PS janë shumë më tepër se sa të jesh ministër i mirë”, u shpreh ai.

Për Fatmir Xhafajn dhe Pandeli Majkon tha se e kanë pranuar sfidën për të kontribuar për skuadrën si i pari si 23-ti dhe i dyti si i 19-ti listën e Tiranës.

“Në një pozicion ku i dihet të bëjë një përpjekje për të thyer listën. Duke qenë aty kontributi i tij do të jetë tepër i vyer për skuadrën. sot nga 1 deri tek 36 kemi lojtarë që do të luajnë rol në fushë dhe do të shikoni në fund kutitë.

Sa i takon renditjes, Rama tha se hapja e listave i jep mundësi çdo personi që të maksimizojë kontributin për partinë dhe paralajmëroi se nga kutitë e votimit do të dalin surpriza.

“Do të shikoni që në skuadrën tonë të gjithë numrat do të kenë vota dhe një pjesë e numrave do të ketë shumë surpriza për nga prurja e votave në lista në atë zonë që konsiderohet jofituese. Do të jenë shumë kontribute në votë për rezultatin e PS”, u shpreh Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë