Italia do të jetë vendi i parë europian ku do të prodhohet vaksina ruse Sputnik-V, ndërkohë që vendi fqinj thotë se është i hapur për shpërndarjen e kësaj vaksine sapo të miratohet nga BE-ja.
Rusia ka nënshkruar një marrëveshje për të prodhuar vaksinën e saj Sputnik V në Itali, njoftoi të martën Dhoma e Tregtisë Ruse në Itali. Marrëveshja u nënshkrua nga filiali italian i një kompanie farmaceutike zvicerane dhe Kirill Dmitriev, CEO i Fondit Rus të Investimeve Direkte. Prodhimi i 10 milion dozave të planifikuara këtë vit mësohet se do të nisë në korrik.
“Procesi inovativ i prodhimit do të ndihmojë në krijimin e vendeve të reja të punës dhe do të lejojë Italinë të kontrollojë të gjithë procesin e prodhimin,” tha dhoma e Tregtisë në një deklaratë.
Sputnik V nuk është miratuar ende për përdorim në BE, por Agjencia Europiane e Barnave filloi rishikimin e vaksinës javën e kaluar. “Autoritetet ruse po punojnë për bashkëpunime të ngjashme në Europë dhe vaksina Sputnik V është regjistruar në 45 kombe në të gjithë botën”, tha dhoma.
BE është kritikuar për shpërndarjen e ngadaltë të vaksinave dhe disa vende europiane kanë vendosur të mos presin miratimin e EMA. Hungaria u bë vendi i parë i BE-së që autorizoi Sputnik V për përdorim muajin e kaluar ndërsa Sllovakia njoftoi një marrëveshje javën e kaluar për të blerë 2 milion doza të vaksinës ruse dhe mori dërgesën e parë me 200,000 doza.
Pavarësisht skepticizmit në lidhje me futjen e vaksinës, ajo duket të jetë e sigurt dhe efektive. Sipas një studimi të botuar muajin e kaluar në revistën Lancet, Sputnik V është 91% efektive dhe duket se parandalon të vaksinuarit të sëmuren rëndë me Covid-19, megjithëse është ende e paqartë nëse vaksina mund të parandalojë përhapjen e sëmundjes.
Me një mungesë globale të vaksinave, disa ekspertë thonë se rritja e përdorimit të vaksinave të prodhuara nga Kina dhe Rusia mund të ofrojë një mënyrë më të shpejtë për të rritur furnizimin global. Të tjerët vërejnë se strategjia e Rusisë për të eksportuar vaksinën e saj në të gjithë botën mund të drejtohet nga interesa politikë.
Komisioni Europian ka njoftuar se në këtë fazë nuk ka plane për një blerje kolektive të dozave të Sputnik V, duke u mbështetur në marrëveshjet e bëra tashmë me prodhuesit e tjerë perëndimorë, por e ka bërë të qartë se vendet anëtare kanë të drejtë të arrijnë marrëveshje të ndara.
Ministri i shëndetësisë i Italisë, Roberto Speranza, ka treguar se ai është i hapur për futjen e vaksinës së zhvilluar nga Rusia në Itali, për sa kohë që ajo ka miratimin e BE-së. Kryeministri i ri i Italisë, Mario Draghi, është zotuar të përshpejtojë fushatën e vaksinimit për të zbutur përhapjen e varianteve të reja të cilat kanë vënë përsëri sistemin shëndetësor nën presion. Deri më tani, vetëm 2.85% e popullsisë së Italisë është vaksinuar plotësisht.
Fondi Rus i Investimeve Direkte ka thënë që prodhimi i Sputnik V do të shtrihet në disa vende, duke përfshirë Indinë, Korenë e Jugut, Brazilin, Kinën, Turqinë, Iranin, si dhe Bjellorusinë dhe Kazakistanin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje