Futboll

Video/ Fitore e hidhur dhe eliminim dramatik për Juventusin, feston Porto

Juventusi merr një goditje të fortë në Ligën e Kampionëve, ku është eliminuar që në fazën e 1/8-ve nga portugezët e Portos. Për Pirlon nuk ka vlejtur fitorja 3-2 në Torino, që u dha të drejtën miqve për të kaluar më tej, falë fitores 2-1 në Portugali dhe 2 golave në fushë kundërshtare. Kampionët e Italisë treguan se kanë probleme, ashtu si në kampionat. Porto vuajti, sidomos kur mbeti me 10 vetë, por ia doli.

Malorja për Juventusin u bë më e fortë, kur Serxho Oliverira realizoi për Porton me penallti që në minutën e 19-të, pas një faulli të Demiral. Me fillimin e pjesës së dytë, bardhezinjtë barazuan me Kiezën. Portugezët mbetën me 10 vetë për shumë se gjysmë ore lojë, sepse sulmuesi Tamari u ndëshkua me dy kartonë të verdhë për 2 minuta.

Kieza realizoi sërish, por koha e rregullt përfundoi me rezultatin e ndeshjes së parë, 2-1, duke e çuar kualifikimin në shtesë. Duhet thënë se italianët ishin pa fat në fundin e ndeshjes, kur Kuadrado goditi traversën, ndërsa një gol i Moratës u anulua nga VAR-i për pozicion jashtë loje.

Dy pjesët e shtesave ishin vërtet dramatike. Pavarësisht se luante me një lojtar më pak, Porto guxoi dhe rrezikoi disa herë në portën e Juventusit. Oliveria shënoi me goditje dënimi golin e dytë 5 minuta para fundit, por Rabiot rindezi shpresat e Juventusit me golin e 3-të pas 2 minutash. Megjithatë, goli i 4-t, që do t’i jepte kualifikimin skuadrës së Pirlos mungoi dhe në fund festuan portugezët.

Kristiano Ronaldo nuk la gjurmë në këtë ndeshje, ndërsa Juventusi ka dështuar sërish në Ligën e Kampionëve, duke sjellë zhgënjim të madh në radhët e tifozëve dhe të drejtuesve të klubit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë