Politike

Meta kërkon nga BE e OSBE që të ndërhyjnë për zgjatjen e afatit të kartave

Presidenti Ilir Meta ka thirrur në një takim Ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Vincenzo del Monaco dhe Ambasadorin e BE-së në Tiranë, Luigi Soreca për t’u ngritur si shqetësim domosdoshmërinë e shtyrjes së vlefshmërisë së kartave të identitetit që kanë skaduar dhe skadojnë deri më 30 prill, për t’u dhënë mundësi qytetarëve që të votojnë.

“I informova rreth takimit, që zhvillova me shoqërinë civile për problematikat, që lidhen me procesin zgjedhor, përfshirë shtyrjen e afatit të kartave të identitetit dhe mundësimin e votimit për shtetasit e prekur nga COVID-19”, thuhet në deklaratën e Metës.

Presidenti shprehet se u ka theksuar ambasadorëve se do të ketë zero tolerancë ndaj çdo tentative për intimidimin, presionin dhe pengimin e pjesëmarrjes masive të qytetarëve në zgjedhje.

“Çdo individ, që do të përfshihet në skema të krimit zgjedhor, do të ndëshkohet me forcën më të rreptë të ligjit”, deklaron Meta.

Në fund, Meta vlerëson mesazhin e BE-së për hetimin e dosjeve të krimit zgjedhor 184 dhe 339, bëri thirrje që të mos ketë amnisti për këto krime dhe paralajmëroi se kushdo që synon t’i përsërisë këto krime më 25 prill nuk do të amnistohet.

“Zgjedhjet e 25 prillit do të vendosin për fatet e Shqipërisë dhe të ardhmen e saj të pakthyeshme europiane”, mbyll reagimin e tij kreu i shtetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë