Presidenti Ilir Meta zhvilloi një konferencë të shkurtër për shtyp nga qyteti i Fierit. Deklaratat e tij pasuan ato të Kryeministrit Edi Rama, që në një aktivitet me kandidatët e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 25 prillit, e përfshiu kreun e shtetit si pjesë të opozitës duke e akuzuar se po sulmon Etilda Gjonajn për të penguar reformën në drejtësi.
Nga Fieri, thelbi i mesazhit të Ilir Metës për qytetarët ishte pjesëmarrja masive në zgjedhje, por nuk anashkaloi komentet ndaj akuzave të Ramës.
“Vetëm me një falsifikatore mund të më nxirrte përballë, si ajo që noterizon të gjitha PPP-të dhe kapjet e institucioneve. Përgjigjen do ta marrin më 25 prill të gjithë autorët e ramaformës”, tha ai.
Në foton krahasuese me Gjonajn, Rama e shfaq Metën duke pirë nga një gotë. Presidenti nuk përmend emra, por nënkuptoi se i drejtohej atij kur foli për politikanë që përdorin lëndë narkotike.
“Edhe sikur të isha duke pirë raki, s’kishte pse shqetësohej. Kokainën nuk e përdor dhe do jem një luftëtar i pashembullt ndaj çdo politikani që përdor substanca narkotike”, vijoi ai.
Ramën e akuzoi gjithashtu se i ka dalë garant mafies ndërkombëtare duke i ofruar Shqipërinë për pastrimin e parave të pista. Presidenti këmbëngul në qëndrimin e tij se 25 prilli vendos për të ardhmen e vendit dhe fton qytetarët që të shndërrojnë atë në atë që e quan referendum për ta çuar vendin drejt Bashkimit Europian.
“Kur flas për referendum më 25 prill e them sepse është vendosur në pikëpyetje e ardhmja europiane e Shqipërisë. Vetëm një pjesëmarrje masive në zgjedhje do përmirësojë kredencialet e Shqipërisë. Është koha të shembim një regjim të gënjeshtërt”, vijoi Meta.
Sipas Presidentit, krimi zgjedhor i provuar me dosjen e Shijakut dhe atë të Dibrës janë pengesat kryesore që vonojnë hapjen e negociatave për Shqipërinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje