Stadiumi historik i Brazilit, “Maracana”, teatri i dy finaleve të Botërorëve, (në 1950-ën dhe në 2014-ën) do të ndryshojë emrin. Ai mban aktualisht emrin e gazetarit Mario Filho, por së shpejti do të ketë emrin e legjendës së futbollit, Pele. Pritet vetëm ratifikimi nga ana e guvernatorit të Rio de Zhaneiros, Klaudio Kastro.
Stadiumi do të mbajë emrin “Edson Arantes do Nascimento – Rei Pelè”. “Është homazh i denjë për një njeri që është i njohur në gjithë botën për trashëgiminë që ka lënë në futbollin brazilian dhe për atë që ka bërë për vendin tonë”, – ka thënë një nga drejtuesit e projektit, duke dashur të zbutë polemikat që kanë lindur menjëherë pas propozimit për ndryshimin e emrit të stadiumit mitik në Brazil.

Përtej vlerësimit pa kufij të brazilianëve për Pelenë, disa tifozë janë të bindur se Filho do të harrohet, duke u eklipsuar nga popullariteti i 80-vjeçarit. Disa të tjerë gjykojnë se stadiumi duhet të mbajë emrin e një personi nga Rio (Pele ka lindur në Minas Gerais dhe e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës në shtetin e San Paolos).
Për të zgjidhur këto polemika ka menduar autori i dekretit, Andre Ceciliano, i cili ka shpjeguar se do të ndryshojë emër vetëm stadiumi. Pjesa tjetër e kompleksit sportiv, ku ndodhet edhe impianti, – që përfshin edhe palestrën Maracanazinho, parkun ujor Julio Delamare dhe pistën e atletikës Celio de Barros, – do të mbajë përsëri emrin e gazetarit të famshëm sportiv brazilian, tifoz i Flamengos, që ndërroi jetë në vitin 1966.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje