Politike

“Tortë” 530 mln euroshe e BE kundër Covid-19, një copë edhe për Shqipërinë

Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi janë tre vendet kandidate për anëtarësim që janë bërë pjesë e Fondit të Solidaritetit të Bashkimit Europian, një fond miliarda eurosh, i konceptuar prej 2002 për të ndihmuar financiarisht vendet anëtare dhe ato kandidate në përballimin e kostove financiare të krizave.

Komisioni Europian ka ndarë një fond prej rreth 530 milionë eurosh për 17 vende anëtare dhe tre vendet kandidate. Paratë do të jepen për të ndihmuar sistemet shëndetësore në përballimin e situatës dhe mbingarkesës së shkaktuar nga pandemia e Covid.

“Fondi do të mbështesë shpenzimet publike për pajisje mbrojtëse, emergjencat dhe masa të tjera parandalimi, mbikëqyrjeje dhe kontrolli të përhapjes së infeksionit”, thuhet në njoftimin e KE.

“Ky fond është dëshmi e aksionit solidar europian. Po propozojmë që të mobilizojmë ndihmë financiare aq të nevojshme për pasojat e koronavirusit, që është bërthama e qëllimit të ngritjes së gjithë fondit të solidaritetit”, tha Komisionerja e Reformave, Elisa Fereira.

Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi e cilësoi këtë si një lajm të rëndësishëm për Shqipërinë, Serbinë dhe Malin e Zi. Shuma që do të përfitojë secili vend mbetet ende për t’u përcaktuar. Ajo që dihet është se 530 mln eurot do të ndahen mes 17 vendeve anëtare të BE-së, ku ka edhe vende si Gjermania, Franca, Greqia, Spanja dhe tre vendeve kandidate.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë