Autoritetet shëndetësore italiane njoftuan pezullimin e procesit të vaksinimit me një grup dozash të vaksinës së AstraZenecas pas vdekjes së dy personave në Siçili.
Stefano Paterno, 43 vjeç, oficer i marinës dhe Davide Villa, polic ndërruan jetë pas marrjes së vaksinës së kompanisë AstraZeneca. Paterno dyshohet se ka ndërruar jetë nga një sulm në zemër një ditë pasi ishte vaksinuar, ndërsa Villa vdiq 12 ditë pas marrjes së të njëjtës dozë.
Autoriteti italian i barnave, Aifa konfirmoi se kishte pezulluar procesin e vaksinimit me dozat e AstraZenecas si masë paraprake deri në hetimin dhe zbardhjen e plotë të të dyja rasteve. Deri më tani, ky autoritet thotë se nuk ka gjetur asnjë lidhje mes vdekjes së dy personave me vaksinën në fjalë, por një hetim i hollësishëm ka nisur.
Mediat italiane thonë se 43-vjeçari Stefano Paterno u sëmur brenda 24 orëve nga marrja e vaksinës dhe gjatë vizitës mjekët i kishin diagnostikuar një trombozë në vena, që më vonë i dha edhe hemorragji në tru.
Vendimi i autoriteteve italiane pason atë të Danimarkës, Norvegjisë dhe Islandës, që njoftuan ditën e enjte se kanë pezulluar përkohësisht procesin e vaksinimit me dozat e AstraZenecas pas raportimeve se ajo ka qenë shkaktare e mpiksjes së gjakut tek disa persona të vaksinuar.
Në Austri, autoritetet bllokuan vaksinimin me grupin e vaksinave ABV5300 po të kompanisë AstraZeneca, pasi një person u diagonstikua me trombozë të shumëfishtë dhe ndërroi jetë 10 ditë pas vaksinimin dhe një tjetër u shtrua në spital për bllokim të arterieve të mushkërive po pas vaksinimit.
Raste të ngjashme u raportuan edhe në Letoni, Estoni, Holandë dhe Luksemburg. Nisur nga këto lajme, 17 vende të Bashkimit Europian kanë vendosur të pezullojnë vaksinimin me vaksinat e AstraZenecas me kod prodhimi ABV2856 dhe ABV5300.
Ndërkohë, në Shqipëri mbërrijnë këtë të premte rreth 38 mijë doza të vaksinës së AstraZenecas, me të cilat është njoftuar se do të vaksinohen mësuesit. Duke iu përgjigjur këtyre rasteve shqetësuese nga disa vende të BE-se, Kryeministri Edi Rama tha se grupi i dozave të kësaj vaksine të bllokuara në Itali, Danimarkë, Norvegji dhe Islandë nuk është i njëjtë me grupin e dozave të porositura nga Shqipëria.
Vetë kompania AstraZeneca ka thënë për Reuters se siguria e vaksinës së saj është testuar gjerësisht tek njerëzit dhe të dhënat kanë konfirmuar se efektet e saj anësore janë minimale. Kompania thotë se ndjek një protokoll strikt kontrolli për cilësinë e vaksinave të saj dhe se deri më tani “nuk ka asnjë rast që të konfirmojë të kundërtën”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje