Bota

Bullgaria i shtohet listës së vendeve që ndalojnë vaksinën AstraZeneca

Bullgaria i është bashkuar sot vendeve europiane që kanë ndalur vaksinimin kundër koronavirusit, me vaksinat e kompanisë AstraZeneca, pas rritjes së shqetësimit për sigurinë e tyre.

Qeveria bullgare ka thënë se vaksinimi është pezulluar derisa Agjencia Evropiane e Ilaçeve të dërgojë një deklaratë të shkruar, që heq të gjitha dyshimet për sigurinë e saj.

“Derisa të kemi një konfirmim të sigurt dhe të qartë në letër nga Agjencia Evropiane e Ilaçeve, që vaksina e kompanisë AstraZeneca mund apo nuk mund të jepet, ne ndalojmëvaksinimin”, ka thënë kryeministri bullgar Boyko Borisov.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë më 12 mars se është duke analizuar raportimet për probleme me mpiksjen e gjakut tek disa qytetarë të Bashkimit Europian, pasi janë vaksinuar me vaksinat e AstraZenecas.

Vetë kompania AstraZeneca ka thënë më 11 mars se nuk ka të dhëna për rritje të ndërlikimeve pulmonare apo të trombozave në vena, bazuar në të dhënat që nga vaksinimi deri më tani.

Megjithatë, Danimarka, Norvegjia, Islanda, Italia dhe Rumania kanë shtyrë apo kufizuar vaksinimin me këto vaksina, pas raportimeve të pacientëve që janë përballur me trashje gjaku.

Tajlanda ka marrë të njëjtin vendim më 12 mars, ndërsa Australia, Meksika dhe Filipinet kanë thënë se do të vazhdojnë vaksinimin. Kanadaja po ashtu ka thënë se nuk ka të dhëna se vaksina shkakton reaksione agresive.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë