Bashkimi Europian është i varur nga fuqia punëtore nga Ballkani Perëndimor, i cili është shpopulluar nga luftërat, programet e emigrimit të rregullt dhe tani nga ikja e njerëzve të arsimuar. Banka Botërore vlerëson se 4.4 milionë njerëz kanë emigruar nga rajoni midis viteve 1990-2015.
Kjo shifër përfshin gati gjysmën e popullsisë së Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës të marra së bashku. Rreth gjysma e emigrantëve të rajonit emigrojnë në Europën Perëndimore, ndërsa fuqitë ekonomike si Gjermania përpiqen qëtë korrigjojnë problemet demografike. Por emigrimi është produkt i faktorëve shtytës dhe tërheqës.
Ekonomisti Federico Fubini, vlerëson se vendet e Evropës Lindore dhe Ballkanit Perëndimor injektuan mbi 200 miliardë euro në ekonominë gjermane përmes arsimimit dhe trajnimit të punëtorëve të rinj, që u zhvendosën atje midis viteve 2009-2017.
Gjermania miratoi vitin e shkuar një ligj të ri mbi emigracionit që e lehtëson hyrjen në tregun e punës për qytetarët që nuk vijnë nga vendet e BE-së. Por gjatë presidencës gjermane të BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2020, konferencat demografike mbi Ballkanin Perëndimor theksuan vetëm faktorët shtytës që e nxisin migrimin:perspektivat e zymta ekonomike, korrupsioni dhe krimi i organizuar.
Edhe pse këto janë arsye të forta, kjo perspektivë i vendos barrën ekskluzivisht rajonit për t’i zgjidhur këto probleme. Ndërkohë pak pranohen faktorët tërheqës, dhe nuk ka asnjë njohje të përfitimeve të mëdha që ka BE-ja nga largimi i të arsimuarve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor.
Punëtorët e Ballkanit Perëndimor emigrojnë shpesh për të bërë punë që janë nën nivelin e tyre të kualifikimit dhe sërish paguhen më mirë sesa në pozicionin më të privilegjuar të punës në vendin e tyre.
Mungesa e punëtorëve të kualifikuar, pengon rritjen ekonomike dhe dekurajon investimet e huaja. Sidomos në epokën e koronavirusit është shumë e rëndësishme mungesa e punëtorëve të kualifikuar shëndetësorë në Ballkanin Perëndimor, të cilët po shpëtojnë jetë në Evropën Perëndimore.
Meqë rajoni ka disa nga nivelet më të ulëta të lindshmërisë në botë dhe shumë pak rikthime, kostot e pensioneve në rritje po përballohen nga një bazë taksapaguesish që po tkurret në mënyrë të vazhdueshme. Dhe kjo gjë ose kontribuon në rritjen e deficiteve qeveritare ose zvogëlon shpenzimet publike të dobishme.
Largimi i më të arsimuarve nga Ballkani, ka edhe pasoja të mëdha politike. Emigrantët e Ballkanit Perëndimor janë mesatarisht më të rinj dhe më të arsimuar sesa qytetarët në vendet e tyre, dhe për këtë arsye kanë prirjen që të formojnë një segment elektoral relativisht liberal.
Emigrimi e ndryshon kësisoj sjelljen politike të një popullate, dhe mund të fuqizojë një udhëheqje politike të dobët. Kur qytetarët më të motivuar dhe më të kualifikuar largohen nga vendi, në vend mbeten shumë më pak individë me cilësi të lartë që janë të gatshëm për të udhëhequr ose të votojnë.
Pasoja të tilla janë të mundshme në të gjitha vendet që po përjetojnë një humbje të talenteve. Ajo që e bën shumë unik rastin e Ballkanit Perëndimor, janë pasojat e këtij fenomeni për zgjerimin e BE-së.
Zgjidhja nuk është të ndalohet emigrimi, edhe pse një raport befasues i vitit 2019 nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, zbuloi se shumica e qytetarëve në disa vende të BE-së do ta mbështesnin pikërisht këtë gjë. Por një politikë e tillë do të dëmtonte një nga 4 liritë themelore që mbështesin eksperimentin e BE-së:lëvizjen e lirë të krahut të punës.
Në vend të kësaj, BE duhet t’i qaset çështjes si një partnere e vërtetë. Në vend qe të zhvillojë një luftë joefektive kundër largimit të atyre që janë më të kualifikuar, unioni duhet të zhvillojë politika që adresojnë faktorët shtytës dhe ata tërheqës, si kompensimi i vendet e origjinës për koston e humbjes së talenteve.
Një BE që është serioze në lidhje me anëtarësimin e këtyre vendeve në union, duhet të marrë përgjegjësinë si përfituesja kryesore e ikjes së trurit nga Ballkani Perëndimor, dhe të ndajë barrën e gjetjes së një zgjidhjeje. /Carnegie Europe/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje