Politike

Qeveria propozon: Prefektët të bllokojnë bashkitë

Qeveria synon që të zgjerojë kompetencat e prefektit të qarkut, duke i mundësuar këtij institucioni që të bllokojë menjëherë zbatimin e vendimeve, urdhrave dhe urdhëresave të këshillave, apo kryetarëve të bashkive nëse vlerëson se ato bien ndesh me ligjet në fuqi.

Ministria e Brendshme ka hedhur për konsultim publik ndryshimet në ligjin aktual që përcakton detyrat dhe përgjegjësitë e prefektit. Ndryshimet cekin një sërë nenesh të këtij ligji, mes të cilëve edhe nenin 16-të që ka të bëjë me verifikimin e ligjshmërisë së akteve dhe vendimeve të pushtetit vendor.

Aktualisht, në këtë nen thuhet se prefekti i Qarkut bën verifikimin e ligjshmërisë së vendimeve, urdhrave dhe urdhëresave me karakter normativ të bashkive, por pa penguar zbatimin e tyre. Me ndryshimin e propozuar në pikën dy të këtij neni kërkohet heqja e togfjalëshit “…pa penguar zbatimin e tyre…”, duke i dhënë prefektit fuqinë bllokuese deri në sqarimin e ligjshmërisë së këtyre akteve nga Ministria e Brendshme, apo gjykatat administrative.

Një tjetër zgjerim i pushtetit të prefektit, që emërohet nga Qeveria, në dëm të kompetencave të pushtetit vendor, që zgjidhet me votë nga qytetarët lidhet edhe me aktet që nuk kanë karakter normativ. Në të tilla raste, propozimi i bërë nga Ministria e Brendshme i jep prefektit pushtetin që të mos shprehet për ligjshmërinë, por t’ia kthejë atë këshillit bashkiak.

Ndryshimet cekin edhe nenin 17-të, që ka të bëjë me anën proceduriale të miratimit të vendimeve nga ana e pushtetit vendor dhe detyrimin që ka ky i fundit për t’i depozituar këto akte te institucioni i prefektit të qarkut sipas rregullave të përcaktuara në ligj. Në raste se prefekti vëren se depozitimi i këtyre akteve nuk është bërë sipas ligjit, informon ministrin e Brendshëm dhe kërkon pezullimin e ekzekutimit të aktit dhe pavlefshmërinë e tij në gjykatat administrative.

Një tjetër kompetencë që u jepet prefektëve lidhet me inspektoriatet dhe administratën vendore të tatim-taksave, ku me propozimin e bërë i jepet pushteti që prefekti të ndërhyjë dhe t’u kërkojë nisjen e inspektimeve ndaj subjekteve publike e private, që gjatë kontrolleve, vëzhgimeve dhe shqyrtimit të ankesave dyshon se kanë kryer shkelje të ligjeve

Ndërhyrjet në ligjin për prefektin cekin edhe marrëdhëniet e këtij të fundit me Qeverinë dhe ministrinë përgjegjëse për pushtetin vendor. Në këtë pjesë, propozohet që Këshilli i Ministrave, apo ministrat t’u transferojnë, apo delegojnë me ligj përgjegjësi, funksione dhe kompetenca, të shoqëruara gjithmonë me burimet e nevojshme njerëzore dhe financiare për ushtrimin e këtyre funksioneve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë