Politike

Rama komenton Metën: Ka çrregullime të rënda

Kryeministri Edi Rama komentoi për herë të parë përplasjen e Presidentit Ilir Meta me Policinë Bashkiake për zyrat e Frymës së Re Demokratike.

Kreu i Qeverisë foli me doza ironie e sarkazme, jo aq drejtpërdrejtë sa kryebashkiakut i Tiranës, Erion Veliaj, që foli për “degjenerim psiqik” të Presidentit, por duke qëndruar në të njëjtën linjë me këto deklarata.

“Vaksinën për tërbimin nuk e kemi për fat të keq dhe do të na duhet të bashkëjetojmë për një farë periudhe. Më lejoni që të mos bëj asnjë koment, sepse jemi në kushtet e një shfaqjeje që është klinikisht e rëndë dhe që kërkon solidaritet njerëzor më këdo qoftë dhe jo më me Presidentin e Republikës, që ka çrregullime të dukshme të rënda”, tha Rama.

Rama foli gjatë nisjes së procesit të vaksinimit për mësuesit në kryeqytet. Ai tha se gjatë 24 orëve do të ngrihen pikat e vaksinimit të tyre dhe ditën e hënë do të nisë vaksinimi në të gjithë vendin. Mësuesit do të vaksinohen me rreth 38 mijë dozat e AstraZenecas, që Shqipëria mori ditën e premte si pjesë e mekanizmit Covax.

Mbërritja e tyre në vendin tonë në një periudhë kur në shumë vende të Europës janë ngritur shqetësime për efektet anësore të kësaj vaksine ka ngritur shqetësime. Por, Rama thotë se shqetësimet e ngritura në vendet e tjera nuk lidhen me gjitha vaksinat AstraZeneca dhe se Shqipëria ka marrë vaksina të sigurta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë