Futboll

Fjalor sekret mes lojtarëve në fushë, sekreti i pathyeshmërisë së Çelsit

Me barazimin ndaj Lidsit, Çelsi i drejtuar nga Tuhel ka zgjatur serinë e ndeshjeve pa humbje. Nga ardhja e trajnerit gjerman, londinezët kanë 6 fitore (mes tyre ato në transfertë me Totenhemin dhe Liverpulin), dhe 4 barazime në kampionat. Bashkë me fitoren ndaj Atletiko Madridit në Ligën e Kampionëve dhe atë ndaj Barnsleit në “FA Cup”, bëhen 12 ndeshje pa humbje.

Për më tepër, me Tuhel në krye, Çelsi ka pësuar vetëm 2 gola dhe është 2 ndeshje larg rekordit që mbahet nga Mauricio Sarri për sa i takon pathyeshmërisë në Premier Ligë. Sipas “Sun”, pas këtyre numrave ka një sekret. Bëhet fjalë për një kod sekret, një fjalor që trajneri ka krijuar me qëllimin për të përmirësuar lojën e të tijve.

Lojtarët e Çelsit, duke festuar pas një goli. Gazeta Si, 15 mars 2021

Tuhel ka menduar të përdorë një fjalor me fjalë që njihen vetëm nga skuadra dhe futbollistët kështu janë në gjendje ta dinë kur dhe ku duhet të vrapojnë, si dhe kush duhet ta marrë topin në fund të aksionit.

Sipas gazetës angleze, një lojtar kundërshtar ka thënë: “Nuk e kupton atë që ndodh, por ata e dinë egzaktësisht atë që po bëjnë. Sulmet e tyre janë të shpejta dhe shumë të rrezikshme, sepse ndodh shpesh që ai që bën pasimin nuk ka nevojë as të shikojë për të ditur ku është shoku i tij. Përdorin fjalë të ndryshme në situata të ndryshme, në mënyrë që rivalët të mos i kuptojnë gjatë lojës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë