Politike

Rama premton rritje masive pagash në mandatin e tretë

Kryeministri Edi Rama shpalosi objektivat e mandatit të tretë sa u takon pagave, taksave dhe nxitjes së sipërmarrjes. Pasi bëri një krahasim mes premtimeve të tij dhe të opozitës, kreu i Qeverisë u ndal në detaje tek ai që e quajti plan veprimit 2021-2025 në kuadër të vizionit “Shqipëria 2030”.

Rama përsëriti zotimin për të rritur pagën minimale çdo vit dhe për ta çuar atë në 40 mijë lek në mbyllje të mandatit të tretë, ndërsa premtoi rritje me 40 për qind të pagave për mësuesit dhe mjekët dhe 30 për qind ato të punonjësve të administratës publike.

Një tjetër premtim ishte edhe ulja e tatimit-fitimit për pagat deri në 250 mijë lek në muaj duke filluar nga 1 janari 2022. Rama premtoi edhe rritjen e pagës mesatare në administratë nga 78 mijë, në 85 mijë lek, ndërsa renditi, sipas tij, arsyet se përse kategoria e personave që paguhen 40 deri në 120 mijë lek nuk duhet të votojnë Partinë Demokratike me propozimin e saj për taksë të sheshtë 9 për qind.

“Rikthimi në skenë e një fantazme kërcënuese për të gjitha ata që marrin më shumë se 30 mijë dhe më pak se 120 mijë; taksa e sheshtë, rreziku më konkret dhe i afërt për secilin prej tyre që punon në shtet dhe privat dhe që janë nën këtë fashë, sepse me taskën e sheshtë 9 për qind të propozuar nga KÇK do të duhet të paguajnë për shtetin më shumë se ç’paguajnë sot”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se me taksën e sheshtë favorizohen ata që Partia Demokratike i quan oligarkë.

“Nga 2006 deri në 2013 ata (biznesi i madh) i paguan shtetit me 86 mln dollarë taksa, ndërsa nga 2014 deri në 2019 me 481 mln dollarë”, deklaroi ai.

Në lidhje me biznesin e vogël, kreu i Qeverisë tha se deri në 2029 kjo kategori do të vazhdojë të paguajë zero taksa dhe i kërkoi votën më 25 prill për të vazhduar në atë që e quajti “rruga e nisur me zero taksa”.

Ministrja e Financave Anila Denaj tha se informaliteti është sëmundja më e madhe që ka vuajtur ekonomia shqiptare dhe u ndal tek fushatat e ndërmarra pas 2013-ës në luftën kundër këtij fenomeni. Ajo premtoi mbështetje të mëtejshme për biznesin në mandatin e tretë, duke nisur me rimbursimin automatik të TVSH-së prej 1 janarit 2023.

Ministri i Shtetit për Sipërmarrjen, Eduart Shalsi tha nga ana tjetër se shqetësimi kryesor i biznesit të madh nuk ka qenë asnjëherë niveli i taksave, ashtu sikundër thotë opozita, por cilësia e shërbimit nga zyrat shtetërore, që u shpreh se është përmirësuar edhe falë ofrimit të shërbimeve online.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë