Futboll

Ankesa e Fushajt, bllokohet procesi i privatizimit të Vllaznisë

Privatizimi i klubit “Vllaznia” do të marrë kohë, nuk do të jetë një proces i shpejtë, sikurse u mendua kohët e fundit. Komisioni i Prokurimit Publik ka vendosur së fundi bllokimin e procesit, pas kërkesës së ish-presidentit të skuadrës shkodrane, Valter Fushajt.

“Colosseo Construction”, kompania e ish-presidentit Fushaj, kishte bërë një ankesë zyrtare, duke pretenduar për pabarazi në kushtet e ankandit. Prokurimi Publik ka vendosur për pezullimin e procedurës së ankandit deri në shqyrtimin e ankesës dhe marrjen e një vendimi përfundimtar. Kjo do të thotë shtyrje e procesit të privatizimit.

Shkresa zyrtare për pezullimin e ankandit të privatizimit të Vllaznisë. Gazeta Si, 15 mars 2021

Bashkia e Shkodrës duhet t’i dërgojë Komisionit të Prokurimit Publik informacion të hollësishëm për procedurën e ankandit dhe fazën ku ndodhet kjo procedurë. Dokumentet e ankandit duhet të shoqëruara me procesverbalin e hartimit dhe argumentimit të kërkesave për kualifikim dhe specifikimeve teknike. Duhen dhënë gjithashtu argumentimet përkatëse mbi pretendimet e “Colosseo Construction“.

Kuptohet që është kohë e humbur për të ardhmen e Vllaznisë. Klubi shkodran ndërkohë ka edhe çështjen e borxheve të vjetra për të zgjidhur, pasi rrezikon të mos licencohet për Kupat e Europës. Edhe kjo çështje është jo pak e komplikuar, pasi i takon bashkisë së qytetit ta zgjidhë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë