Një grup terroristësh islamikë të lidhur me ISIS, kanë ekzekutuar duke u prerë kokat disa fëmijëve dhe adoleshentëve në Mozambik, në provincën veriore të Cabo Delgado.
Denoncimi është bërë nga organizata “Save the Children”, e cila në raportin e saj të fundit, ka mbledhur dëshmitë tronditëse të nënave të disa djemve të masakruar nga militantët.
Në vend, që nga fillimi i kryengritjes islamike në vitin 2017, mbi 2500 njerëz janë vrarë dhe 700,000 u është dashur të largohen nga fshatrat e tyre.
Rrëfimi tragjik i familjarëve – Një grua me emrin Elsa, tregoi se si djalit të saj të madh iu pre koka jo shumë larg saj dhe fëmijëve të tjerë të saj. “Atë natë fshati ynë u sulmua dhe shtëpitë u dogjën”, tha ajo, cituar nga BBC.
“Kur filloi gjithçka, unë isha në shtëpi me katër fëmijët e mi. Ne u përpoqëm të shpëtonim në pyll, por ata morën djalin tim të madh dhe ia prenë kokën. Nuk kishte asgjë që mund të bënim, sepse do të ishim vrarë të gjithë”, – shtoi ajo.
Një nënë tjetër, Amelia, raportoi se djali i saj u vra nga militantët, ndërsa ajo dhe tre fëmijët e saj të tjerë arritën të shpëtonin.
“Pasi djali im 11-vjeçar u vra, ne e kuptuam se nuk ishte më e sigurt të qëndroje. Kështu që ikëm në shtëpinë e babait tim në një fshat tjetër, por disa ditë më vonë sulmet filluan edhe atje”.
Reagimi i “Save the Children” – “Stafi ynë u përlot kur dëgjuam historitë e vuajtjeve të treguara nga nënat në kampet e refugjatëve”, tha Chance Briggs, drejtori i Save the Children në Mozambik.
“Kjo dhunë duhet të ndalet dhe familjet e zhvendosura duhet të mbështeten, ndërsa përpiqen të rikuperohen nga trauma”.
Sulmet e mëparshme – Që në nëntor, media shtetërore raportoi se më shumë se 50 njerëzve iu ishte prerë koka në një fushë futbolli në Cabo Delgado.
Edhe në prill të vitit të kaluar, dhjetëra më shumë njerëzve iu ishte prerë koka ose u qëlluan për vdekje në një sulm ndaj një fshati lokal.
Grupet e të drejtave të njeriut thonë se forcat e sigurisë kanë kryer gjithashtu shkelje të të drejtave të njeriut, duke përfshirë arrestime arbitrare, tortura dhe vrasje, gjatë operacioneve kundër xhihadistëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje