Futboll

Rrëfimi i Van Basten: Doktorët më shkatërruan, diferencën nuk e bëjnë trajnerët

Simbol i Milanit bashkë me dy holandezët e tjerë Rud Gulit dhe Frank Rajkard, simbol i shumë sekseseve nga skuadra e drejtuar nga Arrigo Saki dhe më pas nga Fabio Kapelo. Marko Van Basten, tri herë fituesi i “Topit të Artë”, – 1988, 1989 dhe 1992, – ka qenë sigurisht një nga më të mirët e historisë së futbollit.

314 janë golat e shënuar nga Van Basten, 90 nga të cilët me fanellën e Milanit, nga viti 1987 deri në 1995-ën. Sulmuesit iu desh të mbyllte para kohe karrierën për shkak të dëmtimeve të njëpasnjëshme në kavilje. Një kalvar që nisi gjatë sezonit 1985-1986, kur ai luante për Ajaksin.

Marko Van Basten kur luante me Milanin. Gazeta Si, 16 mars 2021

“Futbolli ka humbur Leonardo da Vinçin e tij”, – shprehej Adriano Galiani në konferencën për shtyp të organizuar nga Milani kur Van Basten u tërhoq zyrtarisht nga futbolli, më 17 gusht 1995. Por lamtumira e tij nga futbolli i luajtur, nga fusha e blertë, kishte ardhur kohë më parë, saktësisht më 26 maj 1993, kur Milani humbi finalen e Kupës së Kampionëve (sot Liga e Kampionëve) ndaj Olimpikut të Marsejës. Katër minuta para fundit Kapelo e thirri në stol, duke aktivizuar Eranion dhe holandezi nuk shkeli më në fushë.

Në një intervistë të gjatë për të përditshmen spanjolle “El Pais”, Marko Van Basten ka rrëfyer momentet më të vështira të jetës dhe të karrierës, që i ka mbledhur edhe në autobiografinë e publikuar me titullin “I brishtë”.

“Jeta ime ishte futbolli. Papritur, pas një operacioni që u duk i thjeshtë, m’u desh të tërhiqem. Nuk ishte e vështirë vetëm të pranoja faktin që nuk do të luaja më, ishte e vështirë edhe të vazhdoja jetën. Kavilja nuk më lejonte të ecja, nuk më lejonte të bëja asgjë. Ishin vite shumë të vështira. Isha me fat që një mjek mendoi të më saldonte kockat, duke bllokuar një ligament.

Nuk mund të vrapoja më, por isha në gjendje të nisja një jetë të re pa dhimbje. Luaj golf dhe jam i lumtur. Problemi im ishin doktorët e këqij, që në vend të kuptonin situatën dhe ta përmirësonin atë, ma përkeqësuan. Armiku më i keq nuk kanë qenë kurrë shkelmat që merrja nga mbrojtësit kundërshtarë”, – tregon Van Basten.

“Krojf nën akuzë? Nga një anë ai donte të fitonim tituj. Nga ana tjetër, mjekët i thoshin se nëse do luaja, kavilja nuk do të më jepte dhimbje. Për Johanin kaq mjaftonte dhe më tha se duhej të luaja. Dhe këtu fillon përgjegjësia ime, sepse doja të luaja. Mendova se duhej të këmbëngulja, duke parë që doktorët më siguruan se ishte gjithçka ok. Por e vërteta është se më dhimbte shumë, nuk më linte të luaja dhe të stërvitesha mirë”, – shton holandezi.

Van Basten ka folur edhe për marrëdhënien me Arrigo Sakin, por dhe figurën e trajnerit në përgjithësi: “Saki ishte një person shumë i sjellshëm dhe një trajner i zoti. Më fliste gjithmonë për organizimin e lojës, sidomos në mbrojte. Kisha punuar me Krojfin tek Ajaksi, ku i përballonim ndeshjet në një mënyrë krejt tjetër, e ngjashme me Barcelonën e Guardiolës: vëmendja ishte te topi dhe rikuperimi i tij. Me Sakin ishte e kundërta: më parë organizoheshim për të bërë presion te kundërshtari që kishte toipin, pastaj merreshim me pjesën tjetër.

Van Basten gjatë kohës kur ishte trajner. Gazeta Si, 16 mars 2021

Mendoj se kjo mënyrë i dha Italisë rezultate shumë të mira, ishim fantastikë, por unë vija nga një shkollë tjetër. Me Sakin u bë i rëndësishëm trajneri, por janë futbollistët ata që bëjnë diferencën. Sot flasim vetëm për trajnerët, sikur të ishin ata që bënin diferencën. Kjo nuk është pozitive. Trajnerët janë bërë shumë të rëndësishëm. Lojtarët duhet të marrin më shumë përgjegjësi, sepse janë ata që kanë më shumë fuqi për të vendosur ndeshjet dhe sezonin.

Sot, nëse një skuadër luan mirë ose keq, meritat i jepen trajnerit. Liverpuli është Klopi, Real Madrid është Zidane, Mançester Siti është Guardiola. Pse dështova si trajner? Bëra atë që munda, por nuk arrita të bëja diferencën si trajner. Ishte e vështirë për mua të mbaja kontrollin dhe në fund kuptova që ajo punë nuk më jepte kënaqësi. Puna e trajnerit është vërtet e komplikuar dhe më duhet të pranoj se nuk e kuptova si duhet të isha vendimtar nga stoli”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë