Bota

Variant i ri i Covid-19 i zbuluar në Francë, nuk kapet nga testet PCR

Autoritetet franceze kanë ngritur alarmin së fundmi për identifikimin e një varianti të ri të koronavirusit në  rajonin veriperëndimor të Bretanjës. Ky variant duket se i shpëton zbulimit nga testet standarde PCR.

Ndërsa është më i vështirë për t’u zbuluar, “analizat fillestare të këtij varianti të ri nuk sugjerojnë as ashpërsi të rritur ose rritje të transmetueshmërisë”, tha ministria e shëndetësisë në vend, në  një deklaratë për mediat.

Kryeministri francez Jean Castex paralajmëroi ndërkohë se Franca ka hyrë në valën e tretë të pandemisë duke theskuar se përgjegjës mund të jetë edhe varianti i ri i zbuluar në vend.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka vendosur këtë lloj të ri në kategorinë e saj të “variantit nën hetim”.

Kjo kategori përfshin shumicën e mijëra varianteve që ndodhin natyrshëm, nga të cilat vetëm një pjesë e vogël mund të paraqesin probleme të shëndetit publik, në krahasim me kategorinë “variant për t’u shqetësuar”, siç janë ata të  gjetur në Brazil, Mbretërinë e Bashkuar dhe Afrikën e Jugut.

Për herë të parë që nga 20 nëntori, Franca ka shënuar rritje të rasteve të reja me koronavirus. Të martën autoritetet shëndetësore raportuan 29,975 të infektuar.

Nga ana tjetër presidenti Emmanuel Macron shprehet besimplotë se vaksina mund të shmangë pasojat e një vale, të shkaktuar sipas tij nga mutacionet e reja të Covid.  “Vaksina mund të parandalojë Francën që të hyjë në një bllokim të tretë kombëtar”, tha më tej Macron.

Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë raportoi për 4,239 pacientë të shtruar në kujdesin intensiv, ndërsa numri i përgjithshëm i të shtruarve në spital ka arritur në 25,492.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë