Fjalën e tij në takimin publik me kandidatët për deputetë në Qarkun e Fierit, Kryeministri Edi Rama e nisi me një mesazh adresuar rivalit të tij politik, Lulzim Basha.
Kryeministri iu referua takimeve të fundit që ka organizuar kreu i PD-së, që nisën me Kavajën, vazhduan me Lezhën, Shkodrën, Elbasanin e deri së fundmi në Vlorë ku është shoqëruar nga qindra mbështetës në shkelje të kufizimit të vendosur nga Qeveria për mosgrumbullimin e më shumë se 10 personave në ambiente të hapura e të mbyllura.
Basha dhe zyra e marrëdhënieve të publikut në PD thotë se këto tubime janë të rastësishme, por në këndvështrimin e Kryeministrit Edi Rama bëhet fjalë për një inskenim për të krijuar iluzionin e një fitoreje imagjinare.
“Po bëhet një shfaqje rutinë shkelja e rregullave dhe inskenimi i një spontaniteti duke mbledhur njerëz ngjitur e ngjitur me njëri-tjetrin me demek për të përshëndetur karvanin e fitores imagjinare të atyre që pasi humbën çdo mundësi në të shkuarën, të cilën populli ua dha për të drejtuar vendin, kërkojnë një mundësi të re që s’kanë për ta marrë”, tha Rama.
Sipas Kryeministrit, rikthimi në pushtet i Partisë Demokratike është një eksperiment i dështuar.
“Shqiptarët nuk duan më të eksperimentojnë me rikthimin e PD në pushtet dhe të çfarë PD-je?! Të një PD-je që është e përfaqësuar nga skuadra më e keqe, më e dobët, më absurde e 30 viteve”, tha ai.
Rama akuzoi opozitën se po saboton, përçmon dhe pengon përpjekjet e përbashkët të Qeverisë dhe qytetarëve në luftë kundër pandemisë.
“I bëj thirrje publikisht Lulzim Bashës dhe opozitës që të frenohen, se janë shumë dëmtuese, çedukuese, të pamoralshme në këtë fushë beteje, ku ne jemi një, sepse virusi nuk njeh të majtë dhe të djathtë”, vijoi ai.
Në Fier, socialistët i kanë vënë vetes objektiv maksimal 11 mandate. Drejtuesi politik i këtij qarku, Gramoz Ruçi, që në listë renditet i dhjeti përshkroi shkurtimisht përbërjën e listës së kandidatëve.
Ai tha se mosha mesatare është 48 vjeç, duke ironizuar se është pikërisht ai që e prish këtë mesatare. Ruçi deklaroi se 13 kandidatë kanë lindur dhe banojnë në Fier, ndërsa u ndal edhe tek përfaqësimi gjinor i grave. Në lidhje me objektivin e vendosur, Gramoz Ruçi tha se kemi një objektiv janë marrë të gjitha masat për realizimin e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje