Bashkimin Europian është i vendosur që Mali i Zi dhe Serbia të vazhdojnë negociatat e anëtarësimit përmes metodologjisë së re të zgjerimit, të hartuar nga Franca dhe të miratuar në shkurt të vitit 2020.
Në dokument i brendshëm, i përgatitur nga Komisioni Europian për shtetet anëtare, ka paraqitur zyrtarisht hapat përmes së cilave edhe Podgorica dhe Beogradi do të përfshihen në metodologjinë e re. Në parim, metodologjia e re aplikohet ndaj shteteve, të cilat, në kohën e miratimit të saj, nuk kishin nisur negociatat e anëtarësimit, në këtë rast Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Por që nga prezantimi i saj, presidenti francez Emmanuel Macron e bëri të qartë se dëshiron që ajo të aplikohet për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Metodologjia e re e zgjerimit parashikon grupimin e disa kapitujve në një tërësi dhe hapjen dhe mbylljen e tyre në të njëjtën kohë. Po ashtu, ajo do të bëjë të mundur edhe fokusimin në kapitujt që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit.
Në këtë dokument po ashtu propozohet që Mali i Zi dhe Serbia nuk mund të mbyllin asnjë kapitull të ri negociues, nëse nuk vërtetohet se i kanë përmbushur të gjitha kushtet e kapitujve 23 dhe 24, që kanë të bëjnë me gjyqësorin, të drejtat themelore dhe rendin e ligjin. Sipas kësaj metodologjie, këta kapituj do të mbyllen vetëm në fund të procesit.
Edhe në këtë dokument, në rastin e Serbisë, përmendet kusht edhe progresi në normalizimin e raporteve me Kosovën, në kuadër të dialogut të cilin e lehtëson BE-ja.
Sipas metodologjisë së re, shtetet anëtare të BE-së do të kenë më shumë mundësi që të jenë të përfshira në monitorimin e procesit, duke përfshirë edhe kontributin e tyre në përmbajtjen e Raportit të Progresit si dhe në praninë e ekspertëve të shteteve anëtare në terren.
Po ashtu, do të ketë më shumë takime në nivel politik midis BE-së dhe vendeve kandidate, si përmes Këshillit për Stabilizim Asociim, ashtu edhe me takime së paku një herë në vit në nivel të konferencave ndërqeveritare. Zakonisht konferenca të tilla mes BE-së dhe një vendi që negocion për anëtarësim zhvillohen vetëm për të hapur apo mbyllur kapitujt negociues. Por, tani propozimi është që takime të tilla të mos varen vetëm nga hapja e kapitujve, por të jenë edhe një forum politik, ku mund të diskutohen prioritetet dhe dinamikat e procesit.
Me metodologjinë e re, përmes së cilës BE-ja dëshiron ta bëjë procesin shumë të parashikueshëm, janë parashikuar edge sanksione në rast se Mali i Zi apo Serbia bëjnë kthim prapa në zbatimin e reformave në kapitujt negociues, sidomos në ato që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe fushën e drejtësisë.
Metodologjia e re ishte miratuar në BE me propozimin e Francës, që së bashku me Holandën kishin bllokuar vendimin për nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pas miratimit të kësaj metodologjie, Këshilli kishte arritur të marrë pëlqimin e të 27 shteteve anëtare për të nisur negociatat me këto dy shtete. Por, për këto dy shtete ende nuk është miratuar korniza negociuese, pa të cilën, as Tirana dhe as Shkupi zyrtar nuk mund të nisin formalisht negociatat për anëtarësim në BE.
Mali i Zi dhe Serbia kanë nisur negociatat për anëtarësim para disa vjetësh dhe deri më tani, kanë mbyllur vetëm një numër të kufizuar të kapitujve, Mali i Zi tre dhe Serbia vetëm dy. Mali i Zi ka hapur të gjitha kapitujt negociues, ndërsa Serbia deri më tani ka hapur 18 kapituj.
Mbështetësit e metodologjisë së re kanë argumentuar se qëllimi i saj është të përshpejtohet procesi i negociatave për shtetet kandidate që janë vërtetë janë të gatshme t’i përmbushin kushtet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje