Politike

Pse mblidhet ende para zgjedhjeve Kuvendi aktual?

Kuvendi ka njoftuar se do të vazhdojë punimet normalisht deri më datë 5 prill, pra 20 ditë para zgjedhjeve për Kuvendin e ri. Por, disa afate të vendosura si në Kushtetutë, ashtu edhe në Kodin Zgjedhor kanë pështjelluar një pjesë të opinionit publik në lidhje me të drejtën e Kuvendit aktual për t’u mbledhur.

Bëhet fjalë për afate 30 dhe 45 ditore, që përmenden në nenin 9 të Kodit Zgjedhor dhe nenin 65 të Kushtetutës.

Por, në të dyja rastet afatet e vendosura, si në ligjin organik, ashtu edhe në ligjin themeltar, siç është Kushtetuta nuk bëjnë fjalë për zgjedhje “normale”, pra për rastet kur zgjedhjet zhvillohen në periudhën e caktuar zgjedhore.

Amullia krijohet nga përcaktimet e nenit 9 të Kodit Zgjedhor. Në këtë pikën 3 të këtij neni thuhet se mes datës së zgjedhjeve dhe datës së mbarimit të mandatit të Kuvendit duhet të ketë një diferencë prej të paktën 30 ditësh.   

Ndërkohë, pika 2 po e këtij neni përcakton kohëzgjatjen e mandatit të Kuvendit, duke sanksionuar se ajo përllogaritet deri në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt pas datës së mbledhjes së parë të Kuvendit.

Kuvendi aktual ka zhvilluar mbledhjen e parë më 9 shtator 2017. Kjo do të thotë se sipas përcaktimit të këtij neni, mandati i tij përmbyllet më 9 shtator 2021. Ky përcaktim i Kodit “vuloset” nga neni 65 i Kushtetutës, që thotë se “mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë, por se në çdo rast, Kuvendi qëndron në detyrë deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri të zgjedhur.

Ndërkohë, afatet për moszhvillimin e mbledhjeve 30 dhe 45-ditore janë të vendosura në rastet kur Kuvendi nuk zgjedh dot Kryeministrin dhe shpërndahet nga ana e Presidentit. Ky i fundit brenda këtyre afateve duhet të thërrasë zgjedhjet e reja.

Sa i takon kohëzgjatjes së mandatit të Kuvendit është ndezur një debat, nëse pas 25 prillit do t’i lihet vendi Kuvendit të ri, apo jo. Vetë kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka deklaruar gjatë një seance plenare se mandati i Kuvendit aktual, sipas Kushtetutës përfundon më 9 shtator dhe se deri atëherë do të vazhdojë të jetë në punë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë