Futboll

Partizani denoncon me video gjykimin e Metës. Demi: Një palaço djalë!

Drejtuesve të Partizanit, stafit teknik dhe futbollistëve nuk del e keqja pas eliminimit nga Kupa e Shqipërisë. Të kuqtë u mundën nga Laçi 4-3, pas gjuajtjes së penalltive, por e gjithë pakënaqësia e tyre ka të bëjë me gjykimin e kryesorit Kridens Meta. Klubi kryeqytetas ka postuar një video, ku denoncon arbitrin Meta për 3 penallti të padhëna.

Pas humbjes në Laç, presidenti i Partizanit, Gaz Demi, shfryu ndaj gjykimit të ndeshjes, duke u shprehur: “Kridens Meta një ordiner, s’kam çfarë të them tjetër. Ai është një palaço djalë, ishin dy penallti të pastra për ne. Ndeshjen e patë vetë, jeni specialistë më të mirë se mua”.

Edhe trajneri Ilir Daja foli hapur kundër gjykimit të Metës: “Nuk dua të merrem me arbitrat, por e kam dalluar që në lojë se ishte penallti. Është shtyrje e qartë e Ignjatoviç ndaj Çinarit. Janë edhe dy raste të tjera që duhen diskutuar. E dominuam lojën gjithë pjesën e dytë dhe shtesën 30-minutëshe”.

Javët e fundit janë shtuar ndjeshëm ankesat ndaj arbitrave në Shqipëri dhe duket se as takimi me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, nuk ka bërë efekt. Po ashtu, nuk është hera e parë që Partizani konteston ashpër arbitrin Kridens Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë