Kryeministri Edi Rama premton se në fund të mandatit të tretë 61 qëndrat urbane të 61 bashkive të vendit do të kenë ujë të pijshëm 24 orë.
Kreu i Qeverisë prezantoi këtë të enjte planin e veprimit në sektorin e ujit dhe të energjisë. Pasi bëri një rezyme të investimeve të kryera nga Qeveria e tij në dy mandate dhe të gjendjes në të cilën i mori këto dy sektorë, Rama tha se investimet për të garantuar ujë 24 orë në qëndrat urbane do të bëhet edhe me ndihmën financiare të partnerëve.
“Do të bëjmë një rritje buxheti për ujin me 40 për qind. Falë buxhetit të shtetit dhe mbështetjes që kemi siguruar nga qeveria gjermane, qeveria franceze dhe qeveria zvicerane do të garantojmë 100 për qind ujë të pijshëm në zonat urbane në të 61 bashkitë e vendit. Në 2013 kishim 12 orë ujë në ditë si mesatare në të gjithë vendin, në dhjetor të këtij viti do të kemi 18 orë ujë si mesatare dhe në përfundim të mandatit të tretë do të kemi 24 orë ujë”, u shpreh ai.
Sa i takon sektorit të energjisë, Kryeministri tha se falë reformave të ndërmarra nga Qeveria në këto vite janë reduktuar ndjeshëm humbjet në rrjet, janë rritur arkëtimet dhe mbi të gjitha është stabilizuar gjendja financiare e KESH dhe OSHEE.
Rama ua faturoi reformave të ndërmarra edhe përmirësimin e rënditjes së Shqipërisë në raportet e Bankës Botërore të të bërit biznes.
“Shqipëria ishte në vendin e 154 për kohën e lidhjes së energjisë elektrike për një subjekt sipërmarrës. Sot kemi kapërcyer më shumë se 100 vende dhe jemi në 2020 në vendin e 44 në botë”, u shpreh ai.
Kreu i OSHEE, Ardian Çela, që kandidon nën siglën e socialistëve në Qarkun e Durrësit tha se në 8 vite janë përgjysmuar humbjet në rrjet dhe falë modernizimit të rrjetit, që vazhdon, sot ato janë 21.4 për qind.
Sot, tha Çela, kompania arkëton 300 mln dollarë më shumë se para 8 vitesh, para që sipas tij mundësuan investimet për modernizimin e sistemit. Si arritje, kreu i OSHEE përmendi pajisjen me matësa të të gjitha klientëve dhe uljen e ankesave për mbifaturim në vetëm 0.3 për qind të numrit total të faturave që OSHEE emëton në vit.
Ndërkohë, kreu i Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare, Benet Beci, që kandidon për PS në Qarkun e Shkodrës vlerësoi si investimin më të madh në këto vite modernizimin e HEC-eve në Kaskadën e Drinit. Ai tha se për herë të parë u rinovuan turbinat, ndërsa u ndal edhe tek Skavica, që i është dhënë kompanisë amerikane Bechtel për ta ndërtuar dhe tek investimet e vetë KESH për energji të pastër.
“Që është investimi më strategjik që Shqipëria po bën në energji. Kemi vënë 20 mln euro nga KESH për parqet fotovoltaike në Vaun e dejës”, u shpreh ai.
Beci thotë se investimet në fjalë do të hapin vende të reja pune dhe orientojnë Shqipërinë drejt energjisë së pastër.
Në këtë prezantim foli edhe kreu i Ujësjellës-Kanalizimeve, Alqi Bllako, që kandidon për Partinë Socialiste në Qarkun e Tiranës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje