“Ta çojmë për skrap tepsinë e pushtetit”. Këto ishin ndër fjalët më të shqiptuara nga ana e Kryeministrit Edi Rama gjatë fushatës së vitit 2017. Përmes tyre ai kërkonte pushtetin i vetëm duke akuzuar LSI-në se si qëllim nuk kishte mirëqeverisjen e vendit, por përdorimin e administratës për favore në punësime dhe tendera.
Katër vite më vonë, Rama ndan bindjen se në sektorin e ofrimit të shërbimeve online për qytetarët dhe bizneset “tepsia është çuar për skrap”. Ai e cilëson si revolucion që nuk mund të çohej deri në fund me LSI-në në prehër.
“Ky është ai revolucioni i çuarjes së tepsisë për skrap në raportin shtet-qytetar. Ky është ai revolucioni që nuk bëhej dot deri në fund me të tjerë në prehër. Ky është ai revolucioni që ju i dhatë shtysën e fortë dhe vendimtare në 2017, ku na dhatë mundësinë që të jemi ballë përballë jush pa të tjerë në prehër, e t’ju shohim në sy e të na shihni në sy, të marrim përgjegjësitë tona, të marrim patjetër dhe barrën për gabimet tona, por ama t’iu përgjigjemi me të gjitha me fuqitë tona”, deklaroi Kryeministri.
Rama premtoi se mandatin e tretë shërbimet do të zgjerohen për të shkëputur në maksimum lidhjen fizike të qytetarit me shërbimet e shtetit.
“Do ketë një sistem që ka filluar, por do kompletohet në mandatin e tretë ku nuk ke më lidhje, gjithçka është online dhe jo vetëm për punonjësit e policisë, por dhe për çdo qytetar me timon, gjithçka do jetë online”, tha ai.
E duke iu rikthyer një tjetër termi të përdorur në fushatën e 2017-ës, kërkoi sërish timonin i vetëm.
“Unë një timon kam, atë që më dhatë në 2017 dhe që jua kërkoj përsëri, jo për vete, por për ju dhe sepse dua që im bir, i vogli dhe gjithë bashkëmoshatarët e tij të rriten këtu e të jenë krenar këtu për shtëpinë e tyre dhe kur ta lënë shtëpinë e tyre, ta lënë sepse kanë dëshirë të shkojnë diku tjetër, jo sepse nuk i mban dot shtëpia e tyre, për këtë e dua unë timonin”, tha ai.
Rama bëri këtë të premte një rezyme të gjendjes në të cilën mori 8 vite më parë këtë sektor, e krahasoi me gjendjen aktuale, ndërsa premton se revolucioni do të vazhdojë edhe mandatin e tretë, duke futur shtetin në xhepat e qytetarëve.
“Ky është ai revolucioni që vazhdon dhe që do ta transformojë në mandatin e tretë këtë vend në një vend ku shteti është i tëri në xhepin e qytetarit, jo për t’i marrë atij nga xhepi, por për të marrë nga xhepi i tij, nga iPhone i tij, smartphoni i tij kërkesën dhe për ta kthyer kërkesën në një dokument të plotësuar, në fakt në smartphonin e tij për qytetarin dhe për biznesin, për të voglin dhe për të madhin, për të riun dhe për të moshuarin, për studentin dhe për fermerin, për çdonjërin në çdo pikë kontakti me shtetin”, u shpreh Rama.
Ky revolucion, thotë Rama, përveçse ka reduktuar mundësitë e korrupsionit dhe abuzimit me detyrën nga punonjësit e administratës, u ka kursyer shqiptarëve plot 300 vite kohë pritjeje në radhë.
“Ishin vajtje-ardhje në pika të ndryshme, zyrash të ndryshme për të mbledhur dosjen. Për çdonjërin nga ju, dosjet sot i mbledh shteti për ju. Sot, në ato pika punonjësit e shtetit nuk rrinë të presin tufat si cjapi te kasapi, por mbledhin letrat dhe përmes rrugës digjitale i çojnë në pikën e vetme ku ju shkoni për të marrë shërbimin pasi keni bërë aplikimin. Çfarë është kjo? 300 vjet, 300 vjet minuta në radha e radha që ne i kemi kursyer përmes revolucionit digjital për të gjithë ata që kanë shfrytëzuar mundësitë që ky revolucion ka filluar të sjellë në jetën tonë të përbashkët. Pa llogaritur paratë, ato mbi dorë dhe ato nën dorë që janë kursyer nga gjithë këto ndërveprime të bëra transparente në kohë dhe sigurisht në fund fare, në dobinë e drejtëpërdrejtë për ata që i kanë marrë”, tha ai.
Duke krahasuar gjendjen aktuale të këtij sektori me shtatë vite më parë, Kryeministri flet për një rritje shërbimesh që ofrohen online me 94 për qind.
“1% ishin shërbime online deri para 7 vjetësh. 95% janë sot, por shikoni çfarë ndryshimi. Kur ne e kemi filluar revolucionin digjital kemi numëruar gjithsej 51 mijë aplikime. Çfarë janë 51 mijë aplikime për shërbime kryesisht të pamarra asokohe, aplikime të mbetura në icloud në krahasim me 7.7 milionë aplikime të bëra në vitin 2020 me përgjigje të marrë. 50 mijë të regjistruar ishin shqiptarët në portalin që supozohej se u ofronte shërbime. Me revolucionin digjital, sot që flasim janë 1.87 milionë të regjistruar që përdorin platformën, përdorin shërbimet. 6 ishin regjistrat elektronikë që presupozohej se duhet të ndërvepronin në platformën qeveritare. Sot janë 55 regjistra elektronikë që ndërveprojnë në kohë reale. Deri në 2013 numri total i transaksioneve, pra i ndërveprimeve të kryera në platformë ishin 680 mijë. Sot, shifra e fundit e 2020 është 145 milionë”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje