Nisur nga gjuha e përdorur dhe përplasjet që janë përshkallëzuar deri në fizike në këtë periudhë para hapjes zyrtarisht të fushatës zgjedhore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me një deklaratë ku u bën thirrje aktorëve politike për vetëpërmbajtje dhe maturi.
“Duhet mbajtur në vëmendje se sjellja dhe retorika e udhëheqësve dhe përfaqësuesve politikë ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë tek mbështetësit e tyre, ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në cenimin e standardeve të zgjedhjeve në vendin tonë”, thuhet në reagimin e KQZ-së.
KQZ thekson se gjuha e ashpër dhe sjellja konfliktuale nuk i shërben interesit të qytetarëve për zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike që janë kusht për integrimin europian të vendit.
“Zgjedhjet janë për qytetarët dhe fushata zgjedhore është faktori kryesor/qendror në formimin e opinionit të zgjedhësve, ndaj duhet respektuar e drejta e qytetarëve për të krijuar opinionin e tyre në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar, si dhe të drejtën e tyre për të pasur zgjedhje të qeta, të lira dhe demokratike”, thotë KQZ.
Në të njëjtën deklaratë, KQZ u kërkon kandidatëve që drejtojnë institucione shtetërore, që të ndajnë qartë angazhimet e tyre si kandidatë për deputetë nga detyra.
“Zhvillimi i një gare të ndershme, në kushte të barabarta dhe duke respektuar standardet e kërkuara zgjedhore, i shërben zhvillimit demokratik të vendit”, thotë KQZ.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje