Bota

Festoi ditëlindjen, kryeministrja norvegjeze thyen rregullat anti-Covid

Kryeministrja e Norvegjisë, Erna Solberg shkeli masat për kufizimet anti-Covid në vend për të festuar 60-vjetorin e lindjes.

Sipas raporteve të mediave lokale, faktet datojnë nga fundi i shkurtit, kur Solberg ribashkoi familjen e saj në një vendpushim skish, në kundërshtim me kufizimet dhe rekomandimet për kufijtë e kontakteve shoqërore.

Sipas akuzës, bëhet fjalë për dy darka, të organizuara në vendpushimin e skive në Geilo, me më shumë se dhjetë persona (duke shkelur kështu rregullat kundër grumbullimit).

Më 18 mars, kryeministrja pranoi për rrjetin televiziv, “Nrk”, se “ajo duhet të kishte qenë më e vetëdijshme për rregullat. Unë vetëm mund të kërkoj falje”. Deklarata që nxitën policinë të hapte një hetim.

Më 25 shkurt, 13 anëtarë të familjes Solberg, darkuan në një restorant – në mungesë të saj, sepse kryeministrja ishte shtruar në spital për probleme me sytë – edhe pse rregullat kufizuan numrin e njerëzve në dhjetë, për një ngjarje private në një hapësirë të përbashkët.

Ditën tjetër, Solberg dhe të afërmit e saj, shkelën një rekomandim tjetër: 14 njerëz u mblodhën në apartamentin e saj për një darkë, katër më shumë se sa ishte kufiri.

“Unë duhet t’i kisha njohur rregullat më mirë. E vërteta është se nuk i kam kontrolluar ato mjaft mirë dhe për këtë arsye nuk e kuptova që kufiri prej 10 personash, ishte i vlefshëm edhe për familjen”, tha Solberg, e cila shtoi se ishte e gatshme të paguante një gjobë të mundshme.

Kryeministrja, gjithashtu kërkoi falje në Facebook, duke shkruar: “Më vjen keq që unë dhe familja ime shkelëm rregullat, gjë e cila nuk duhej të kishte ndodhur kurrë. Sigurisht që ne duhet të kishim ndjekur të gjitha rekomandimet, siç i kërkova popullit të bënte”.

“Më vjen keq dhe mendoj në veçanti, për të gjithë ata që u është dashur të anulojnë angazhimet që prisnin me padurim, një ditëlindje, një festë apo ndonjë gjë tjetër të rëndësishme, – shtoi ajo. – Unë i kuptoj ata që janë të zemëruar dhe zhgënjyer. Unë gabova dhe për këtë unë dua të them që më falni”.

Lajmi erdhi vetëm disa orë, pasi qeveria norvegjeze inkurajoi qytetarët të mos udhëtonin për pushimet e Pashkëve.

Përveç pasojave ligjore, Solberg gjithashtu rrezikon reagimin politik para zgjedhjeve të shtatorit.

Sjellja e saj, shkaktoi protesta në mediat sociale, me shumë kërkesa për dorëheqje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë