Politike

Rama prezanton Petrit Malajn në qarkun e Kukësit: Përfaqëson tropojanët e butë

Nga Kukësi, kryeministri Edi Rama prezantoi sot kandidatët e këtij qarku për deputet, ku mes tyre spikat edhe ish-rektori i Akademisë së Arteve, Petrit  Malaj.

Shefi i qeverisë zbuloi bisedën me aktorin me origjinë nga Tropoja, i cili pranoi t’i bashkohet ekipit të socialistëve për këto zgjedhje.

 “Për hir të së vërtetës të jam mirënjohës, sepse të thashë nuk do të kisha shqetësuar me këtë ftesë, sepse ti je gur i rëndë në vend të vet, por ka qenë insistimi i miqve në Tropojë, që donin patjetër që Petrit Malaj të ishte mundësia e tropojanëve për të zgjedhur që më shtyhu të shqetësoj, – u shpreh Rama. – Biseda nuk ka qenë e lehtë. Ne njihemi prej kohësh, respekti është reciprok, sepse më ke kërkuar me këmbëngulje të dije në avancë çfarë do sillje për komunitetin atje. Je përfaqësues i tropojanëve të butë dhe të vendosur. Më ka ardhur shumë mirë që në bisedë, e ke vlerësuar ndryshimin që ka ndodhur, por patjetër, ashtu si për ty edhe për mua është i pamjaftueshëm”.

Takimet e kryedemokratit Lulzim Basha, Rama i ka cilësuar komike, ku “pritet si dhëndër i bukur”, por që në ditët e sotme janë shumë të rrezikshme për shkak të grumbullimeve të mëdha në kohë pandemie.

Ai ironizoi duke thënë se këto pritje i duken si të para disa viteve më parë, me flamuj e brohorima për kundërshtarin, duke shtuar se ndjen keqardhje.

“Duhet të shmangin tundimin që të grumbullohemi dhe të ekzaltohemi, sepse është e rrezikshme, kur ne po vaksinojmë dhe duam të rrisim vaksinimin, është e domosdoshme që të respektojmë rregullat, të tregojmë përgjegjshmëri dhe të jemi forca e shembullit. Është e pakuptimtë që vazhdon harbimi i dasmorëve nëpër rrugët e Shqipërisë, Lulit me demek ia ndalojnë makinën në mënyrë spontane dhe e ngrenë në makinë si dhëndri i bukur, ndërkohë që skema është e njëjta, me sharje, flamuj që nuk i adresohen dhëndrit, por ne”, – theksoi shefi I qeverisë.

Sipas Ramës, “nuk ka mundësi që dikush që pretendon që të qeverisë vendin, të sillet si Borati me kamerat e filmit që në një situatë do të ishte komike po të mos ishte rrezik për qytetarët. Sidoqoftë rrugët e komunikimit dhe mundësia për të folur me njerëzit janë aty të panumërta dhe duke menduar që kryesorja e kryesoreve është sfida e triumfit mbi armikun e padukshëm”, tha Rama.

Rama më pas ka sulmuar edhe kundërshtarët e tjerë politikë. Një taktikë që ai po e përdor në çdo qark ku prezanton kandidatët e PS për deputet.

“Një parti që humb, ndikon në jetën tënde drejtpërdrejt, njeriu ku voton, duhet të bëjë një zgjedhje, është njësoj kur zgjedh elektricistin në shtëpi, apo me çdo zanatçi tjetër, ti zgjedh atë që ta bën më mirë atë punë, nuk nisesh me kë është, pra me tifozllëk. Ku shkohet me Mesilën, Dulen, Palokën, vetëm për punë nuk janë, se po të ishin, do i kishin bërë, domethënë për të pirë një gotë me ulli, natyrisht që Dash Shehi është i lezetshëm, por deri te gota e dytë, jo te gota e tretë se nuk kuptohet”, tha Rama me ironi.

Gjatë këtij aktiviteti, Rama prezantoi tre kandidatët për listën e Partisë Socialiste në Kukës, të cilët janë Gerta Duraku; Petrit Malaj; Halim Dauti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë