Qeveria e Boris Johnson dyshohet se ka thyer rregullat e saj të transparencës, duke lejuar që pagesa të mëdha për kryeministrin dhe ministrat e tjerë të kabinetit, të mbahen sekrete deri në tetë muaj, sipas faqes në internet “OpenDemocracy”.
Shkelja e etikës, e cila është në kundërshtim me Kodin Ministror, është përshkruar si “skandaloze” nga një ish-kryetari i Komitetit për Standardet në Jetën Publike.
Ajo, ndër të tjera, ka mundësuar fshehtësinë e vazhdueshme mbi burimin e një donacioni të pretenduar privat prej 60,000 £ për të ndihmuar financimin e një rinovimi luksoz të apartamenteve private të Boris Johnson – një polemikë e cila tani po hetohet nga Komisioni Zgjedhor.
Kodi Ministror parashikon se, “një deklaratë që mbulon interesat e ministrave përkatës, do të publikohet dy herë në vit”. Por asnjë nuk është botuar që nga korriku i kaluar; i fundit, para kësaj, u shfaq në dhjetor 2019.
Në një kohë kur qeveria e Boris Johnson është në polemika për kontratat për COVID dhe skandale të tjera, Alistair Graham, një ish-kryetar i Komitetit për Standardet në Jetën Publike, raportoi dështimin për të publikuar interesat e ministrave: “Të gjitha mjaft skandaloze, e tmerrshme! “
Lajmi vjen vetëm disa ditë pasi Johnson, i bëri thirrje kryeministres së Skocisë, Nicola Sturgeon, të japë dorëheqjen lidhur me akuzat se ajo theu Kodin Ministror të qeverisë skoceze.
Një shkrim ekskluziv i “Business Insider” dy javë më parë, hodhi dritë i pari mbi arsyet e këtij skandali të shkeljes së etikës së qeverisë.
Nëntorin e kaluar, këshilltari i pavarur i kryeministrit për standardet ministrore, Alex Allan, dha dorëheqjen në shenjë proteste për refuzimin e Johnson për të shkarkuar sekretarin e tij të brendshëm, Priti Patel, me akuzat për bullizëm ndaj nëpunësve civilë.
Puna e Allan, përfshinte mbikëqyrjen dhe nënshkrimin e raportit dy herë në vit të interesave të ministrave.
Katër muaj më vonë, vakanca e lënë nga Allan, nuk është plotësuar ende. Pyetjet drejtuar Zyrës së Kabinetit, në lidhje me një orar specifik për emërimet, ose prova që posti ishte reklamuar, nuk morën përgjigje.
Kush e financoi rinovimin?
“OpenDemocracy”, filloi hetimin mbi zbulimin e ministrave, kur u përpoq të mësonte se kush financoi rinovimin e apartamenteve private në Downing Street, ku jetojnë Boris Johnson dhe partnerja e tij, Carrie Symonds.
“Daily Mail” ka raportuar se Downing Street, pretendohet se kërkoi të mbyllte boshllëkun në rindërtimin e banesës së kryeministrisë, duke përdorur fondet e Partisë Konservatore.
Pasi partia fillimisht pagoi për një pjesë të saj, raporton “Mail”, donatori i Partisë Konservatore, Lord Brownlow, i dhuroi 60,000 £ vjeshtën e kaluar për të kompensuar diferencën.
“The Mail”, gjithashtu pretendon që zyrtarët e partisë, që nga ajo kohë kanë kërkuar mënyra për ta mbajtur dhurimin anonim, duke e kthyer atë dhe pastaj duke e përsëritur përmes një ‘Downing Street Trust’ të ri, që do të fshihte burimin origjinal.
Downing Street dhe Partia Konservatore kanë refuzuar në mënyrë të përsëritur të komentojnë mbi këtë përdorim të jashtëzakonshëm të parave të partisë.
Sipas rregullave të Komisionit Zgjedhor, çdo dhurim i madh i partisë për këtë periudhë, duhet të ishte botuar disa javë më parë, por pretendimet e Lord Brownlow për 60,000 £ mbeten të padeklaruara.
“Mail” tani ka zbuluar se Komisioni Zgjedhor i ka kërkuar Downing Street të japë llogari për paratë.
“OpenDemocracy” kupton që janë bërë përpjekje për të raportuar Johnson mbi dhurimet fantazmë tek komisioneri parlamentar për standardet në Dhomën e Komunëve.
Sidoqoftë, zyra e komisionerit, kuptohet se ngurron të marrë një çështje që e sheh të mbuluar nga regjimi rregullator ministror – pavarësisht nga fakti që ai regjim duket se është ndalur disa muaj më parë.
Është e paqartë se si ‘Downing Street Trust’ mund të ndalojë zbulimin e dhurimit të pretenduar të Lord Brownlow për 60,000 £.
Sipas ligjeve zgjedhore, donacionet e mëdha për një parti, duhet të deklarohen edhe nëse ato janë kthyer dhe ekzistojnë rregulla të rrepta për të parandaluar që burimi i dhurimeve të mëdha të mos errësohet.
Nëse raportet e “Daily Mail” në lidhje me burimin e financimit për rinovimin e Downing Street janë të vërteta, mendohet se kjo do të ishte hera e parë që fondet e partisë janë përdorur për të subvencionuar stilin e jetës së një politikani kryesor, që kur Jeremy Thorpe mbajti një fond të Partisë Liberale në vitet 1970 për pagimin e faturave të rrobaqepësve dhe këpucarëve.
Brownlow ka qenë në mesin e grupit sekret të donatorëve elitë të Partisë Konservatore me mbi 50,000 £ në vit, edhe pse është e pamundur të verifikohet nëse ai është akoma aktiv.
Për një dekadë, nën drejtimin e David Cameron dhe Theresa May, Partia Konservatore publikoi listat tremujore të pjesëmarrësve në këto takime donatorësh, por që kur Johnson u bë kryeministër, partia ka ndaluar zbulimin e tyre, në një lëvizje e cila paralajmëronte se si qeveria e tij do të trajtonte interesat ministrore.
Lista e pasur
Nëse nuk do të ketë një denoncim në lidhje me këtë çështje nën Kodin Ministror, atëherë vetëm një person mund të vlerësojë se çfarë do të ndodhë: vetë kryeministri britanik.
Ndërkohë, udhëheqësi konservator skocez, Douglas Ross, ka kërkuar vazhdimisht dorëheqjen e kryeministres Nicola Sturgeon për shkak të akuzave që ajo dyshohet të ketë thyer Kodin Ministror.
Sidoqoftë, këto thirrje u bënë para se të zbulohej se e gjithë qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po shkel kodin e saj.
I pyetur për të komentuar mbi gjetjet e “Open Democracy” dhe mbi vendet vakante, Sir Alex Allan, si këshilltar për standardet ministrore dhe zëdhënës i Zyrës së Kabinetit, thotë: “Një njoftim do të bëhet në kohën e duhur” dhe nuk do të merret në diskutim ose koment të mëtejshëm.
Disa burime qeveritare, kanë sugjeruar që përfundimisht të bëhet emërimi i një këshilltari të ri dhe publikimi i regjistrit.
Edhe nëse një këshilltar i ri do të emërohej që nesër, ata do të kishin një numër të prapambetur prej 137 ministrash për të vlerësuar dhe shumë do të nxisnin korrespondencë dhe intervista të gjera, që kishin të bënin me portofole të mëdha dhe komplekse.
Jacob Rees-Mogg, udhëheqësi i Dhomës së Komunëve, për shembull, vlerësohet nga biografi i tij, Lord Ashcroft, të ketë një vlerë prej 70 milionë dhe 200 milion £, duke përfshirë një pjesë të 20% të firmës së menaxhimit të aseteve që ai themeloi dhe një pronë të gjerë që zotëron nga investimet.
Bashkëmoshatari konservator, Zac Goldsmith, një ministër dhe aleat i ngushtë i Johnson, u vlerësua në “Sunday Times” të “Rich List”, se kishte një vlerë neto prej 285 milionë paund.
Ndjekja me kujdes e konflikteve të mundshme të interesit, që dalin nga një zotërim kaq i gjerë, edhe nëse mbahet me besim të verbër, është një proces i përpiktë.
Një zëdhënës i qeverisë tha: “Kompleksi i Dawning Street, është një ndërtesë që punon, si dhe përmban dy rezidenca ministrore. Siç ka qenë rasti i administratave të njëpasnjëshme, rinovimet dhe mirëmbajtjet, bëhen në mënyrë periodike. Çështjet në lidhje me punimet në pasurinë e Downing Street, përfshirë rezidencat, do të mbulohen në raportin dhe llogaritë e ardhshme vjetore të Zyrës së Kabinetit”. Ky raport nuk pritet të publikohet para korrikut.
Burimi: “Open Democracy”; Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje