Politike

Rama merr në mbrojtje Gjergj Lucën: Punëdhënësi më i madh në Elbasan

Kryeministri Edi Rama mori në mbrojtje sipërmarrësin Gjergj Luca, i përfshirë në sherrin fizik me kandidatin e Partisë Demokratike për deputet në Qarkun e Elbasanit, Luçiano Boçi.

Kreu i Qeverisë tha se Boçi nuk mund të përfaqësojë dhe identifikojë qytetarinë elbasanase.

LEXO EDHE:
Ish-deputeti Luçiano Boçi konfliktohet me biznesmenin: Sulm për motive politike

“E patë atë si grushtonte si huligan një biznesmen. Është e papranueshme që një përfaqësues i popullit të grushtojë si skuth dhe me rojet e tij një sipërmarrës, punëdhënësin më të madh të Elbasanit. Është e pamundur që qytetaria e Elbasanit të identifikohet me këtë shfaqje të dhunshme me disa shëmbëlltyra që nuk janë gjëkundi në mundësinë për t’i quajtur pasardhës të një komuniteti ku ka pasur kaq shumë figura të ndritura dhe ku ka lulëzuar Normalja e Elbasanit”, tha ai.

Rama prezantoi këtë të diel kandidatët për Qarkun e Elbasanit, ky socialistët synojnë 8 mandate. Këtu, Rama veç krahasimit të emrave që propozon PS me ata që propozon opozita u ndal edhe tek krahasimi i premtime socio-ekonomike.

Rama tha se përballë është taksa e sheshtë me taksën progresive. “Rikthim te taksa e sheshtë ku ai që paguhet më pak të paguajë më shumë, ose qëndrojmë te taksimi i ndershëm progresiv”, tha ai.

Kryeministri i cilësoi si riciklim premtimet e Partisë Demokratike, ndërsa kërkoi edhe votën e biznesit të vogël.

“Ata propozojnë pulla tatimore në dyqane, ne heqim komplet inspektorët e tatimeve nga kontakti fizik, sepse shërbimet do të digjitalizohen”, tha ai.

Kryesocialisti e quajti “koalicion pengmarrës” koalicionin opozitar.

“Ai koalicion është pengmarrës i çdo mundësie për të siguruar një qeverisje normale, sepse do të kërkojnë llokmat e tyre në qeverisje. Duka ka firmosur për të qenë ministër Bujqësie. Përsëri kthehet Agron Duka në krye të një sektori që tanimë ka nisur të dalë nga kriza shumëvjeçare dhe po hyn në tjetër hapësirë e ngjitet në një tjetër nivel. Fatmir Mediu kërkon të rikthehet në Qeveri. Dash Shehi, Shpëtim Idrizi dhe Vangjel Dule, të dy bashkë Vangjel Dule dhe Shpëtim Idrizi duan të kthehen në qeveri, edhe Nard Ndoka…”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë