Bota

Përmbytje të mëdha në Australi, mijëra të evakuuar nga moti i keq

Rreth 18,000 njerëz janë evakuuar në orët e fundit në shtetin australian të Uellsit të Ri Jugor për shkak të reshjeve të mëdha që vazhdojnë të godasin bregun lindor të vendit.

Sipas raporteve nga BBC, kryeministri Scott Morrison, u ka ofruar ndihmë financiare në para familjeve të detyruara të largohen nga shtëpitë e tyre.

Nga ana e saj, kryeministrja e shtetit, Gladys Berejiklian, theksoi, se deri më tani, nuk është raportuar asnjë viktimë. “Një mrekulli, – tha ajo, – duke pasur parasysh atë që po kalojmë”.

Por dëmet janë të mëdha në një rajon, ku jeton rreth një e treta e gjithë 25 milionë njerëzve të popullsisë australiane.

Shirat e pandërprerë, bënë që lumenjtë të dilnin nga shtrati dhe të shtunën, diga “Warragamba” – rezervuari kryesor i ujit për qytetin e Sidneit – filloi të derdhej në sipërfaqen e tokës për herë të parë në shumë vite.

Berejiklian kujtoi se shumë prej komuniteteve të prekura nga moti i keq, kishin përjetuar dramën e zjarreve në pyje të lidhur me thatësirën verën e kaluar.

“Për dijeninë time, – vazhdoi Berejiklian, – asnjëherë më parë, shteti (i Uellsit të Ri Jugor) nuk ka përjetuar kushte kaq ekstreme të motit në një periudhë kaq të shpejtë në mes të një pandemie”.

Deri më tani, shërbimet e emergjencës, kanë shpëtuar të paktën 750 njerëz, përfshirë një familje të marrë me helikopter nga çatia e shtëpisë së tyre të përmbytur.

Zyra Meteorologjike Australiane, raportoi se në disa zona, reshjet ishin “të jashtëzakonshme”, deri në 900 mm.

Kryeministrja e shtetit, Gladys Berejiklian, sipas BBC, foli për përmbytje që ndodhin “një herë në 100 vjet”, duke iu referuar situatës përgjatë bregdetit verior të shtetit.

Dhjetëra njerëz, janë shpëtuar nga shtëpitë e tyre në orët e fundit për shkak të përmbytjeve dhe Berejiklian paralajmëroi se mijëra të tjerë në Sidnei mund të evakuohen.

Ndërkohë, Mbrojtja Civile e vendit, ka njoftuar se shkollat ​​në zonat e prekura, do të qëndrojnë të mbyllura nesër dhe ka ftuar banorët të punojnë nga shtëpia.

Moti i keq, sipas parashikimeve, duhet të vazhdojë deri në fund të javës tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë