Bota

Vala e tretë/ Greqia rekruton mjekët e spitaleve private

Qeveria greke ka vendosur të marrë mjekë nga sektori privat për të ndihmuar spitalet publike të përballen me rritjen e rasteve me koronavirus.

Ministri i Shëndetësisë Vassilis Kikilias njoftoi vendimin pasi një apeli drejtuar mjekëve në spitalet private për të dalë vullnetar, të cilit nuk iu përgjigj shumë pak nga mjekët. Vetëm 61 mjekë iu përgjigjën thirrjes së ministrit. Kikilias tha se vendimi, që përfshin mjekët, pulmonologët dhe infermiertë në rajonin më të madh të Athinës, u mor “në dritën e rrethanave emergjente dhe nevojës urgjente për të siguruar kujdes shëndetësor për bashkëqytetarët tanë”.

Ministria e Shëndetësisë “rekrutoi” mjekët privatë, në një kohë kur spitalet e Atikës po marrin presionin më të madh që nga fillimi i pandemisë. Konkretisht, rreth 500 pacientë shtrohen çdo ditë në të gjithë vendin, nga të cilët mbi 200 në Atikë.

Pas ultimatumeve dhe apelimeve te mjekët privatë, më në fund Ministria e Shëndetësisë njoftoi se po procedon me kërkesën e shërbimeve mjekësore, në mënyrë që të zbusë presionin mbytës ndaj spitaleve publike. Siç deklaroi Vassilis Kikilias, “Ministria e Shëndetësisë iu drejtua për javë me radhë një ftesë-apel mjekëve privatë, për forcimin e Spitaleve të Shërbimit Kombëtar të Shëndetit në valën e tretë të rëndë të pandemisë COVID-19. “Fatkeqësisht, shumë pak mjekë privatë erdhën. Ne i falënderojmë ata”, thotë ministria greke e Shëndetësisë.

Spitalet në Greqi dhe veçanërisht ato në Atikë, ka qenë nën presionin më të madh që nga fillimi i pandemisë dhe personeli shëndetësor ka tejkaluar kufijtë e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë