Sport

“Iron Mike” refuzon 25 milionë dollarë, s’ka Tajson-Holifild 3… për momentin

Pas suksesit me rekord publiku në ndeshjen e nëntorit ndaj Roi Xhons, Majk Tajson nuk e ka pranuar mega ofertën e rivalit, sepse dëshiron që të ndeshet për llogari të kompanisë që ai vetë ka krijuar.

Kanë sfiduar njëri-tjetrin dy herë dhe ato ndeshje kanë bërë historinë: Evander Holifild kundër Majk Tajson. Ndeshje që i takojnë së kaluarës: dy me zero për Holifild. Në ndeshjen e parë (9 nëntor 1996) Evander fitoi me “k.o” teknik në raundin e 11-të, por të gjithë kujtojnë më shumë ndeshjen e dytë.

Bëhet fjalë për “ndeshjen e veshit”. Ishte 28 qershor i 1997-ës, kur Tajson, i frustruar nga goditjet e Holifild, dy herë kafshoi veshin e tij. Humbje dhe skualifikim për “Iron Mike”. Vitet kanë bërë të vetën, ndjesë, falje dhe përqafim mes të dyve. Respektojnë njëri-tjetrin dhe duan të rishihen në ring në moshën 54-vjeçare (Tajson) dhe 58-vjeçare (Holifild). Nuk do të ishte skandal, sepse bëhet fjalë për një ndeshje ekzibicioni, një ndeshje mes lavdive të vjetra, me rregulla që të mos e dëmtojnë njëri-tjetrin.

Moment nga një prej ndeshjeve të mëdha Tajson-Holifild. Gazeta Si, 22 mars 2021

Tajson në ring u kthye nëntorin e kaluar, në një ndeshje kundër ish-boksierit të madh Roi Xhons. Nxitja për të marrë sërish dorezat erdhi nga dollarët, shumë dollarë. Tajson fitoi 10 milionë dollarë, Xhons (51 vjeç) diçka më pak. Pas 8 raundesh, ndeshja u mbyll në barazim, por me një rekord shikueshmërie dhe të ardhurash: 1.6 milionë nga shitjet “pay-per-view” me çmimin 49.49 dollarë.

Atëherë seria duhet të vazhdojë me Tajson-Holifild 3… Edhe për faktin që në boks disa triologji janë bërë mitike. Ka pasur edhe një ide për datën dhe vendin: fundjavën e “Memorial Day”, më 29 maj, në “Hard Rock Stadium” të Majemit. Problemi është se Tajson ka refuzuar ofertën, këtë herë 25 milionë dollarë. Një shifër shumë e lartë për një mbi 50 vjeç. Menaxheri i Holifildit ka shpjeguar: “Mendova se ishte gjithçka e mbyllur, por u anulua nga Tajson”.

Postimi i Majk Tajson. Gazeta Si, 22 mars 2021

Për të konfirmuar mungesën e akordit, Tajson ka bërë një postim në Instagram. “Dua të jem i qartë se nuk do të jem më pjesë e ‘Triller’ (që organizoi ndeshjen ndaj Xhons), nuk njoh askënd nga kompania e tyre. Jam partner i “Legends Only League” dhe takimi im i ardhshëm do të jetë vetëm me ta”, – shkruan Tajson. Kompania që 54-vjeçari përmend është e tij dhe nëse do të ketë një Tajson-Holifild III, e vendos vetëm ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë