Politike

Kim viziton Shkodrën, ku kandidon Tom Doshi

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim nisi këtë të martë një vizitë në qytetin e Shkodrës, për t’u takuar me drejtuesit politikë të partive në këtë qark në prag të nisjes zyrtarisht të fushatës elektorale.

Kim pritet të takohet me Ilir Beqajn nga socialistët, Helidon Bushatin nga demokratët dhe jozyrtarisht flitet se do të ketë edhe një takim me Jozefina Topallin.

Vizita e Kim, e ngjashme me atë të Elbasanit disa ditë më parë, në Shkodër merr një domethënie tjetër për shkak se në këtë qark kandidon edhe Tom Doshi, si i pari në listë për Partinë Socialdemokrate.

Ambasadorja e SHBA ka kërkuar që Doshi të mos lejohet që të kandidojë në këto zgjedhje, duke e sjellë atë si shembull të personave që duhet t’u ndalohet kjo mundësi. Kim e arsyetoi këtë kërkesë me vendimin e 2018-ës së Departamentit të Shtetit, që e ka shpallur Tom Doshin si person të padëshiruar në SHBA me akuzën e korrupsionit madhor.

Vetë KQZ nuk ka marrë një vendim në lidhje me këtë çështje, duke ja pasuar topin njësisë së dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, ku tha se Doshi dhe 11 kandidatë të tjerë, mes të cilëve katër nga PD dhe tre nga PS janë referuar për verifikim të thelluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë