Kompania në të cilën punon partneri i ministrit gjerman të Shëndetësisë, Jens Spahn, i ka shitur ministrisë mbi gjysmë milioni maska të modelit, FFP2.
Sipas asaj që shkruan gazeta gjermane “Der Spiegel” në versionin e saj ‘online’, ministria ka porositur 570 mijë maska nga kompania “Burda Gmbh”, nga të cilat Daniel Funke, partneri i Spahn, menaxhon zyrën e përfaqësimit.
“Kjo mund të fshehë një konflikt interesi”, shkruan e përditshmja afër qendrës së majtë.
Grupi “Burda” reagoi menjëherë, duke deklaruar se transaksioni ishte në rregull dhe se “Z.Daniel Funke nuk ishte i informuar dhe nuk ishte i përfshirë në asnjë moment”.
Ministria, nga ana e saj, bëri të ditur se caktimi i drejtpërdrejtë i grupit farmaceutik, është bërë përmes “një procedure standarde”.
“Burda” ofroi ndihmën e saj, në një kohë kur maskat ishin të pakta në Gjermani, në bazë të një pakice aksionesh në një kompani nga Singapori.

Pajisjet iu dorëzuan ministrisë në Shangai në 17 prill, 2020 dhe transporti ajror u organizua atje.
Grupi, gjithashtu nuk do të kishte marrë asnjë komision dhe pretendon të ketë “kthyer shpenzimet e maskave në një raport prej 1:1”, pa fituar kështu asgjë (me një çmim prej 1.73 dollarë secila).
Zbulimi e “Spiegel”-it, vjen nga një dokument që Komisioni i Bundestagut mori nga vetë ministria.
Klima e fushatës elektorale, para zgjedhjeve federale të 26 shtatorit në Gjermani, nuk e lehtëson ç’tensionimin e polemikave.
“Kjo ‘taktikë e sallamit’, me feta informacioni nga ministria, rrënon besimin në institucionet e demokracisë sonë dhe duhet të përfundojë”, – ka sulmuar me një postim nënkryetari i SPD-së, Achim Post, duke kërkuar qartësi përmes një “delegati të transparencës”.
Ditët e fundit, 4 deputetë të Unionit (CDU-CSU), kanë dhënë dorëheqjen, dy pikërisht për paratë e shpenzuara me “pazaret” për blerjen e maskave.

Por deri më tani, të paktën pesë funksionarë kanë dhënë dorëheqjen, ndërsa dy të tjerë kanë tërhequr vendimin për aktivitete lobimi në politikë.
Dhe së fundmi, ishte radha e një këshilltari rajonal nga Bavaria, Alfred Sauter, një ish-funksionar për drejtësinë, i cili gjithashtu hoqi dorë nga të gjitha pozitat e partisë, pasi prokuroria e ka marrë nën hetim.
Udhëheqësi bavarez, Markus Soeder, njoftoi një linjë më të rreptë të brendshme për të ardhmen, duke paralajmëruar: të gjithë ata që duan të garojnë për partinë, do të duhet të nënshkruajnë një “deklaratë të integritetit”, sepse besueshmëria e konservatorëve është në rrezik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje