Politike

Kim nuk u ndahet listave: Mes kandidatëve për deputetë ka emra “shqetësues”

Ambasadorja e SHBA në Tiranë thotë se mes emrave të kandidatëve për deputetë ka elementë për t’u shqetësuar. Kim vlerëson se ka një përmirësim në krahasim me zgjedhjet e kaluara, por ndan bindjen se partitë politike dhe kryetarët e tyre kishin mundësi për t’u ofruar shqiptarëve lista akoma më cilësore.

“Mendoj që ka emra për t’u shqetësuar. Por në përgjithësi më lejoni të them këtë gjë; mendoj që pjesa më e madhe e partive kanë bërë përmirësim në cilësinë e listave të tyre. Disa nga emrat (të përfolur) e dukshëm nuk janë përfshirë në to, por në të njëjtën kohë është edhe e qartë që mund të kishin bërë më mirë”, tha ambasadorja në një intervistë për televizionin ABC.

Kim tha se e ka në dorë KQZ dhe prokuroria që të verifikojë emrat e dyshimtë, por në fund janë qytetarët ata që thonë verdiktin përfundimtar.

“Tashmë është një proces që është i lidhur me punën e KQZ-së, Prokurorët duhet të bëjnë punën e tyre, por, në fund të ditës janë votuesit shqiptarë të cilët duhet ta marrin vendimin se kush do t’i përfaqësojë ata. Se kush ja vlen që të ulet në Kuvend”, vijoi Kim.

Kim thotë se pret nga të gjitha partitë politike që të distancohen nga emrat e dyshuar si subjekt i dekriminalizimit, vlerësoi qëndrimin e PD për Tom Doshin dhe tha se të njëtën gjë pret edhe nga PS.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë