Bota

Masakra në Kolorado, kush është autori dhe profili psikologjik i tij

Autori i masakrës në një supermarket në Boulder, Kolorado (SHBA), i cili i mori jetën 10 personave, është 21-vjeçari me origjinë siriane, Ahmad Al Aliwi Alissa.

I riu kishte blerë një armë zjarri, një pushkë gjysmë automatike, vetëm 6 ditë më parë.

Sipas vëllait të tij, Ali, Ahmadi mund të ketë vuajtur nga çrregullime mendore dhe është bullizuar.

Profili psikologjik i vrasësit – Ali, më pas i tha medias amerikane, se Ahmedi, “nuk ishte veçanërisht besimtar, as i interesuar në politikë. Unë kurrë nuk e kam dëgjuar atë të nxisë dhunë”.

Sidoqoftë, ai u dënua me një vit burg në vitin 2018 për sulmin ndaj një shoku të klasës në Shkollën e Mesme, “Arvada West”.

Ahmad, gjithashtu ka vuajtur nga mania e persekutimit dhe nuk është integruar në komunitetin shkollor, pavarësisht se ishte pjesë e ekipit të mundjes.

Dhjetë akuza ndaj tij – Ai ka lindur në Siri, por ka jetuar pjesën më të madhe të jetës së tij në SHBA.

I plagosur nga përleshja me armë zjarri me policinë, ai u operua në këmbë dhe u transferua në burg.

Në ngarkim të tij, janë dhjetë akuza për vrasje të shkallës së parë, të cilat sipas shtypit mund t’i kushtojnë atij burgim të përjetshëm.

I riu hyri në një supermarket në qytezën Boluder dhe filloi të qëllonte kush i dilte përpara, ndërsa klientët përpiqeshin të mbroheshin nga plumbat dhe largoheshin në panik.

Arma e blerë 6 ditë para masakrës – Ai kishte një pushkë gjysmë-automatike “Ar-15”, një nga armët më të përdorura në masakrat masive amerikane.

E kishte blerë atë gjashtë ditë më parë dhe nuk dihet ende nëse e ka pasur ligjërisht apo jo.

Vetëm 10 ditë më parë, një gjykatë bllokoi një ligj të miratuar njëzëri nga autoritetet lokale në vitin 2018, për të ndaluar armët e zjarrit, në mënyrë që të parandalohen masakra të mundshme, si ajo në Shkollën e Mesme “Parkland” në Florida një vit më parë.

Ose si ato që kishin tronditur Koloradon më herët, e cila ishte kthyer në qendër të kronikave të medies ndër vite, për masakrat e shkollës së mesme në Columbine (1999) dhe kinemanë “Aurora” gjatë premierës së filmit “Batman” (2012).

Ndërkohë, policia thotë se armë të tjera u gjetën në shtëpinë e tij.

Viktimat – Autoritetet kanë identifikuar të dhjetë viktimat e sulmit, duke filluar nga mosha nga 20 në 65 vjeç.

Njerëz të zakonshëm, të cilët shkonin për pazar të përditshëm në supermarket.

Midis të vdekurve, është edhe 51-vjeçari Eric Talley, polici i parë që ndërhyri, i shndërruar në një “hero amerikan” nga të gjithë, duke filluar nga Bideni.

Ai kishte shtatë fëmijë, më i vogli 7 vjeç dhe po kërkonte një punë të re, më pak të rrezikshme për të mbështetur familjen e tij.

“Ai donte të qëndronte larg vijës së frontit dhe po studionte për t’u bërë një operator dronësh”, – tha babai i tij, Homer.

Biden: Kongresi të reagojë për armët – Episodi ka rihapur ndërkohë debatin e përjetshëm mbi përdorimin e armëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Si president, unë do të përdor të gjitha burimet në dispozicion për të mbajtur amerikanët të sigurt, – tha presidenti, Joe Biden. – Unë urgjentisht kërkoj nga kolegët e mi në Dhomë dhe Senat të veprojnë, ne përsëri mund të ndalojmë sulmet me armë zjarri me kapacitet të lartë në këtë vend”.

“Bëhet fjalë për një nga “mjetet më të fuqishme kundër dhunës me armë”, – shtoi Biden, duke kujtuar se si projekt-ligji prek të gjithë amerikanët.

“Ne duhet të veprojmë në këtë rast”, – është thirrja e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë