Politike

Institucionet po shkelin Kodin Zgjedhor, KQZ letër Qeverisë dhe partive

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se nga raportet e deritanishme vëzhguese ka marrë sinjale për shkelje të parashikimeve të Kodit Zgjedhor nga ana e institucioneve shtetërore vendore dhe qendrore që kanë vënë në shërbim të fushatës së partive politike burime njerëzore dhe financiare.

Për këtë arsye, KQZ i është drejtuar me një letër Kryeministrisë dhe të gjitha ministrive, për dijeni edhe të misionit të OSBE/ODIHR, ku u kërkon drejtuesve të institucioneve “vetëpërmbajtje” dhe përmbushje të detyrimeve që lindin nga parashikimet e Kodit Zgjedhor.

“Respektimi i dispozitave të Kodit Zgjedhor dhe standardeve të kërkuara ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në standardin e procesit zgjedhor si kusht kryesor për procesin integrues të vendit. Kjo tërheqje vëmendjeje t’u përcillet gjithashtu edhe organeve tuaja të varësisë”, thuhet në letrën e KQZ-së.

KQZ thotë se është shkelur neni 91 i Kodit, që ka të bëjë me ndalimin e përdorimit të burimeve financiare dhe njerëzore të organeve dhe enteve publike në nivel qendror gjatë fushatave elektorale.

Në kuptim të këtij neni, “burime” quhen asetet e luajtshme dhe të paluajtshme, si dhe çdo burim njerëzor i institucionit. Me përdorim të “burimeve njerëzore” kuptohet përdorimi i detyruar në fushatë zgjedhore i administratës së institucionit brenda orarit të punës për qëllime zgjedhore.

Gjithashtu, në këtë nen thuhet se gjatë fushatës ndalohet marrja dhe pushimi nga puna, lirimi, lëvizja, apo transferimi në detyrë në institucionet e entet publike me përjashtim të rasteve kur kjo vjen nga shkelja e Kodit të Punës.

Ligji ndalon gjithashtu se katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve ndalohet propozimi, miratimi ose nxjerrja e akteve ligjore ose nënligjore, të cilat parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, të tilla si aktet që parashikojnë rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve, përveçse kur nisma kushtëzohet nga gjendje të fatkeqësisë natyrore.

Në një letër të dytë, KQZ u është drejtuar të gjitha partive politike dhe kandidatëve të pavarur që janë regjistruar në garën e 25 prillit. Partive u ngrihet shqetësimi se po shkelen parashikimet e Kodit Zgjedhor për materialet propagandistike.

Sipas parashikimeve të Kodit, kryetarët e bashkive përcaktojnë vendet publike për afishimin e materialeve propagandistike dhe gjatë fushatës afishimi i çdo materiali statik për propagandë zgjedhore, përfshirë flamujt dhe posterat, lejohet vetëm në një largësi prej deri 5 metrash nga zyra zgjedhore e partisë politike apo subjektit zgjedhor përkatës. Të gjitha materialet propagandistike vizive që përdoren në fushatë duhet të shoqërohen me shënimin “prodhuar nën përgjegjësinë ligjore…(vijon me emrin e subjektit zgjedhor)”.

Shkelja e këtyre parashikimeve dënohet me gjobë nga 100 deri në 200 mijë lek, deri në pezullim të financimit për partitë politike deri në 5 vjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë