Futboll

Goditje me parametra zero, Tare hidhet në sulm për Elseid Hysajn

Rikthehet pista e Lacios për mbrojtësin e Kombëtares, Elseid Hysaj. “Gazzetta dello Sport” në Itali bën me dije se futbollisti shqiptar mund të shkojë te Lacio në verë, duke u bashkuar me patriotët e tij Tomas Strakosha dhe Marko Aliaj, si dhe me drejtorin sportiv Igli Tare.

Është pikërisht drejtori sportiv i Lacios që po ndjek situatën me Hysajn, largimi i të cilit nga Napoli është i sigurt. Tare, sipas prestigjiozes italiane, është gati t’i propozojë një kontratë Hysajt. Është një rast nga ata që pëlqehen nga drejtuesi shqiptar i klubit të Lacios, sepse bëhet fjalë për një goditje të mundshme me parametra zero.

Hysaj me fanellën e Napolit. Gazeta Si, 25 mars 2021

Hysaj, aktualisht i angazhuar me Kombëtaren për kualifikueset e Botërorit, duket se nuk do ta ketë të vështirë të gjejë një skuadër me pretendime për të ardhmen. Më parë ka pasur zëra për një kalim të mundshëm të tij te Roma apo Juventusi, ndërsa qëndrimi te Napoli do të ishte i mundur vetëm nëse drejtimin e kësaj skuadre do ta merrte trajneri Mauricio Sarri.

Tani, me futjen në lojë të Tares, Lacio bëhet një kandidat serioz për shërbimet e mbrojtësit të krahut të djathtë. Gjatë javëve të fundit, shkodrani ka treguar një formë shumë të mirë sportive, duke e bërë ndoshta Taren të lëvizë më shpejt për të marrë një tjetër shqiptar te Lacio.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë