Politike

Audienca online, as Rama dhe as Basha, cili politikan u ndoq më shumë në hapjen e fushatës

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha u shfaq ekzaltues në hapjen e fushatës. Nën thirrjet e simpatizantëve të shumtë me flamujt e PD-së, rënies së borive të makinave dhe spektaklit të tullumbacave në fund të fjalës, Basha kërkoi votën e qytetarëve “në emër të ndryshimit”.

Në anën tjetër, shumë më pak festive ceremonia e hapjes së fushatës së PS-së e kondicionuar nga kushtet e pandemisë dhe rregullave të vendosura nga Komiteti Teknik.

Ndryshe nga sa perceptohej nga ekrani, audiencën online e fitoi PS-ja. Që në fillim.

Kryeministri Edi Rama në Facebook gjatë prezantimit të kandidatëve të PS-së filloi me 18 mijë ndjekës, shkoi në 19 mijë për të arritur kulmin e audiencës kur foli Erion Brace me 21 mijë e 400 ndjekës që po e shihnin Live. Kulmin e audiencës e pati Luljeta Bozo me 21 mijë 500 ndjekës. Këtë shifër nuk e mundi sot as kryeministri Edi Rama që e filloi me 20 mijë ndjekës për të zbritur pastaj tek 19.700.

Panoramë ndryshe nga ana e PD-së. Kur Lulzim Basha shpërndau në Facebook “Live” ceremoninë e hapjes së fushatës, ndjekësit ishin tek shifrat e 4200-it.

Më pas filloi të rritej me 6 mijë deri kur foli zëdhënësja e fushatës së PD-së, Floriana Garo me 7100 ndjekës që po e shihnin “Live” nga Facebook. “Rekordin” e saj e theu për pak minuta Lulzim Basha ku audienca u rrit edhe me 200 ndjekës, (7300) më pas filloi të bie tek kufiri 6000-it.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë