Politike

E kërkoi Meta dhe opozita, Qeveria zgjat deri më 30 prill vlefshmërinë e kartave që skadojnë

Qeveria ka zgjatur vlefshmërinë e kartave të identitetit që skadojnë para datës 25 prill, për t’u mundësuar zotëruesve të tyre që të votojnë.

Vendimi shtyn me 5 ditë përtej datës së zgjedhjeve njohjen e këtyre kartave nga ana e autoriteteve dhe institucioneve shtetërore.

Kërkesë për zgjatjen e tyre deri më 30 prill e bëri edhe Presidenti Ilir Meta.

“Sipas të dhënave të bëra publike, aktualisht përllogaritet se në total janë rreth 800 000 shtetas me të drejtë vote, të cilët rrezikojnë të mos marrin pjesë në zgjedhjet e datës 25 Prill 2021, për shkak se dokumenti i tyre i identifikimit, ka skaduar, apo skadon deri ditën e mbajtjes së zgjedhjeve”, deklaronte Presidenti.

Më herët ky shqetësim ishte ngritur edhe nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, të cilat iu drejtuan Kuvendit për të kërkuar zgjatjen e afateve të vlefshmërisë për këtë kategori.

Shifra e më shumë se 800 mijë shqiptarëve që rrezikoheshin të mos votonin dot më 25 prill u konfirmua edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj gjatë një interviste për gazetasi.al dhënë në fillim të muajit janar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë