Futboll

Fenomeni rrëfen modelin e tmerrshëm të flokëve dhe makthin e finales

Ronaldo Nazario da Lima, apo “Fenomeni” siç e njohin të gjithë, ka dhënë një intervistë të gjatë për “Sports Illustrated”, ku ka folur për të tashmen, të shkuarën dhe të ardhmen. Një Botëror, dy “Topa të Artë” dhe president i Valadolidit, braziliani flet për gjithçka.

Intervista nis sigurisht me kohën kur ai luante futboll. Pas një kalvari të gjatë dëmtimesh të tmerrshme, Ronaldo fitoi Botërorin në 2002-shin me një prerje flokësh të veçantë, për të cilën thotë: “Ishte një prerje e shëmtuar, por kishte një arsye. Nuk doja të flisja me gazetarët brazilianë për dëmtimet e mia dhe falë atij “look”-u ata e harruan këtë temë.

Golat që kujtoj me më shumë kënaqësi janë ata të finales ndaj Gjermanisë në Botëror. Nuk janë realizimet më të bukura, por më të rëndësishmet, sepse askush nuk besonte se do të luaja më futboll dhe ajo dopietë ishte fitorja ime më e madhe”, – ka thënë Fenomeni.

Edhe nata para finales së 2002-shit ishte ndryshe: “Nuk doja të flija, kisha frikë se më ndodhte si në 1998-ën. Fola me Didën dhe i thashë që të rrinte me mua. Dhe ai qëndroi me mua deri në momentin që hipëm në autobus për të shkuar në stadium.”

Fenomeni sot. Gazeta Si, 30 mars 2021

E tashmja përfaqëson një lloj tjetër “lufte” për brazilianin, atë të humbjes së peshës. “Do të doja të luaja ende futboll. Nuk ia dal prej tre vitesh, sepse sa herë që e provoj, vritem. Por në kokën time është mendimi se një ditë do ta arrij qëllimin. Edhe kur më vjen një top i gjatë mendoj se do ta arrij, por në fakt nuk mundem. Më pëlqen të luaj me formacionet e legjendave, por duhet të humb disa kilogramë”.

Të ardhmen Fenomeni e sheh larg Valadolidit, skuadrës së tij: “Jam përfshirë shumë në këtë eksperiencë, por nuk do të rri përgjithmonë, sepse kam në mendje të tjera gjëra për të ardhmen. Por tani është shpejt për të folur për to. Kam lindur për të punuar, nuk ka rëndësi nëse njerëzit më kujtojnë si “trashaluq” apo si “fenomen”. Kam bërë më të mirën. Ishte një përvojë e bukur dhe tani dua të jem më i miri edhe në këtë karrierë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë